Mehaj konfirmon blerjet e pajisjeve ushtarake: Do ta mbrojmë atdheun e çliruar nga UÇK-ja

Ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka treguar për punën që FSK-ja ka zhvilluar deri më tani.

Ai është shprehur se rrugëtimi i Kosovës është i qartë e që është anëtarësimi në NATO, për të cilin ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht, transmeton Paparaci.

Mehaj tha se “e kaluara na ka mësuar që për ta fituar lirinë duhet të derdhësh gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet të derdhësh mund dhe djersë”.

“Republika e Kosovës do të ketë mbi 1 mijë e 300 ushtarak, do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarak që do jenë pjesëmarrës. Rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një dhe i vetmi, anëtarësimi në NATO”, tha ai.

Këto fjalë ai i tha gjatë ceremonisë së hapjes së “Defender Europe 2023”. Mes tjerash, ai konfirmoi se janë blerë pajisje të reja ushtarake, pasi para disa ditësh u raportua se Kosova ka blertë dronë “Bayraktar” nga Turqia.

“Ngritjen e kapaciteteve tona do t’i bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s. Sepse rruga dhe rrugëtimi ynë është i qartë. Destinacioni ynë është një dhe i vetmi: anëtarësimi në NATO. Prandaj, ne do të jemi përmbushës të çdo detyre, çdo obligimi që kërkohet që ne të bëhemi pjesë e familjes euro-atlantike”, u shpreh ai.

“Gjatë këtyre dy viteve, fokusi ynë kryesor ka qenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnime, stërvitje e shkollime, pastaj në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve ushtarake dhe sistemeve të reja. E gjithë kjo është bërë për t’i dalë zot vendit tonë. Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ne do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *