Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Pakënaqësitë për gjobat e shqiptuara në trafik janë një ndër arsyet kryesore që shtyjnë qytetarët të bëjnë veprime agresive ndaj zyrtarëve policorë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘UÇK’ në Mitrovicë.
Mësohet se pasi një patrullë e Policisë ka shqiptuar gjobë për kundërvajtje në trafik ndaj një të riu, ata janë përballur me babain e tij i cili shau e ofendoi zyrtarin policor.
Për shkak të kërcënimeve ndaj policit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.