Moti i keq ka gjunjëzuar provincën e Marche-n, në Itali duke shkaktuar përmbytje të mëdha.
Deri më tani raportohet për shtatë persona të vdekur dhe tre të zhdukur në provincën e Ankonës.
Katër viktima janë raportuar në Ostra, një në Senigallia, një në Trecastelli dhe një në Barbara, ku ende rezultojnë të zhdukur tre persona (duke përfshirë një fëmijë).
Bashkia e Cantiano, një qytet me pak më shumë se 2 mijë banorë në provincën e Pesaros dhe Urbinos, përjetoi përmbytje masive ditën e djeshme ku rrugët u shndërruan në përrenj që tërhiqnin zvarrë makinat.
Mes të zhdukurve është edhe një djalë 8-vjeçar. Djali i vogël ndodhej me nënën e tij në makinën e cila u bllokua nga uji.
Autoritetet kanë bërë thirrje që njerëzit të mos dalin e të qëndrojnë në shtëpi.