Pagat në sektorin publik nuk dolën në fund të muajit. Gazeta Nacionale javën e kaluar kishte raportuar se ekzekutimi i pagave në sektorin publik mund të dështoj. Kjo pas skadimit të mandatit edhe të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, ku pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.Meqenëse secili veprim i zyrtarit në fjalë do të ishte kundër Ligjit për Zyrtarë Publik, i cili në nenin 35 e parasheh mandatin e U.D 6+6 muaj (të cilët i kanë kaluar) e jo më gjatë, institucionet kanë pritur një opinion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për funksionimin e administrues shtetërore.
Opinioni erdhi. Aty pak a shumë thuhet kështu: anipse me ligj nuk lejohet, pagat duhet të ekzekutohen për të mos u bllokuar institucionet, e ligji duhet të ndryshohet.
“Si rrjedhojë, mungesa e zyrtarëve në këto pozita të kategorisë së lartë drejtuese por jo vetëm, do të rezultonte në pamundësi të menaxhimit dhe drejtimit të veprimtarisë administrative të institucionit dhe si rrjedhojë në mosfunksionim të institucioneve kyçe shtetërore. Mosfunksionimi i institucioneve do të kishte efekt të madh jo për zyrtarët e punësuar në këto institucione, por edhe për qytetarët të cilat pranojnë shërbime nga këto institucione, duke filluar nga shërbimet e gjendjes civile, shëndetësisë, mbështetjes financiare, skemave sociale, lejeve dhe licencave që lëshohen nga institucionet publike e shumë shërbime tjera. Pra, mungesa e zyrtarëve që do të marrin vendime në këto kategori do të rezultojë në bllokim të institucioneve dhe në kufizim të të drejtave të qytetarëve për qasje në shërbimet që institucionet publike janë të obliguara të ofrojnë.” – thuhet në këtë opinion ligjor.
Tutje, aty konstatohet se zyrtarët edhe pse kanë tejkaluar afatin ligjor të ushtrimit të mandatit të tyre, duhet ta vazhdojnë mandatin, sepse dëmi do të ishte i madh nëse mandati i tyre do të ndërpritej.
“Andaj, vazhdimi i ushtrimit të detyrave të parashikuara në këto pozita është kruciale për vazhdimësinë institucionale dhe ruajtjen e shërbimeve publike, duke siguruar që funksionet thelbësore të shtetit të mos ndalen për shkak të kufizimeve ligjore, vonesave administrative ose çështjeve të tjera që mund të çojnë në mos funksionim të institucioneve.” – thuhet tutje aty.
Ndryshe, Neni 35 i Ligji për Zyrtarët Publik tregon se askush nuk mund të caktohet ushtrues detyre më shumë se një vit.
“Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”, thuhet në paragrafin 3 të këtij ligji.
Më tej, në paragrafin vijuese të këtij neni tregohet se duhet të respektohet paragrafi 3.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni”, është thënë në paragrafin 4 të nenit 25.
Kurse, në paragrafin 5 thuhet se çdo vendim i ushtruesit të detyrës pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3 është i paligjshëm.
“5. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm.”, thuhet në paragrafin 5.
Ndërkohë Qeveria Kurti është kritikuar vazhdimisht se operon me ushtrues detyre në shumë institucione. Duke shkaktuar kështu probleme të njëpasnjëshme në funksionim.