Thyerja e rregullave në trafik shpeshherë bëhet shkas që shoferët të futen në sherr me zyrtarët policorë, të cilët i pengojnë në shenjë revolte pasi gjobiten. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Pejë, ku Policia ka ndalur një veturë, shoferi i së cilës po lëvizte me shpejtësi të madhe, duke rrezikut edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Kjo i kushtoi të dyshuarit 22-vjeçar, me ç’rast zyrtarët policorë e ndaluan për kontroll dhe verifikim. Por ata u përballën me kërcënime, pasi i dyshuari i paralajmëroi se do ta pësojnë keq, duke iu thënë se “Nuk më njihni mu, ju vras unë… sherrin ma shihni”.
Për ta vënë situatën nën kontroll, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar për në stacion policor për intervistim, ku ka vazhduar me sjelljet e njëjta dhe kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Kanosje”.