Hakerat mëngjesin e së shtunës e mbrëmjen e së premtes kanë kryer sulme kibernetike jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoninë e veriut. Ueb faqet e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit për një kohë ishin jashtë funksionit. Pas angazhimeve të ekspertëve të kësaj fushe faqet e tyre u janë kthyer normaliteti.
Organet e ndjekjes dhe hetuesisë së Kosovës nuk kanë zbuluar se nga kush janë kryer këto sulme kibernetike, duke u munduar ti minimizojnë si raste probleme teknike.
Shqipëria ka zbuluar se sulmet kibernetike në Aeroportin e Rinasit, janë kryer nga hakerat iranianë. Ndërsa Maqedonia e Veriut ka zbuluar se ueb faqja e Ministrisë së Arsimit është sulmuar nga ekipi i hakerëve grek „Netwatchers“.
Gazeta Sinjali, ka raportuar gjatë ditës për mos funksionimin e ueb faqeve të Policisë së Kosovës e Prokurorisë së Shtetit, e zyrtarët e tyre kanë thënë se nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare rreth mos funksionimit të ueb faqeve në fjalë.
Nga Policia e Kosovës kanë mohuar sulmin kibernetik, duke e quajtur atë si problem teknik.
“Nuk bëhet fjalë për sulm kibernetik, por për problem teknik. Policia ka kontaktuar kompaninë e kontraktuar të internetit e cila ka dhënë atë konstatim, si shkak i probleme me energjinë, derisa ueb faqja e Policisë së Kosovës është tash në funksion”, thanë burimet nga Policia.
Nga Prokuroria e Shtetit për Gazetën Sinjali, thanë se janë të informuar për mos funksionimin e faqes, por nuk ka informacione të sakta rreth asaj se çfarë ka ndodhur.