Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. E, shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet si pasojë e përdorimit të mjeteve të mprehta e armëve të zjarrit.
Një përleshje e armatosur ka ndodhur së fundi në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ në Prishtinë, ku janë përfshirë disa persona.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një 21-vjeçar ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në spital për tretman mjekësor.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësite policore, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një predhë. Po ashtu është shoqëruar në Polici një person i dyshuar, të cilit i është sekuestruar thika që dyshohet se e ka përdorur në rast.
Tre të dyshuarit tjerë, përfshirë atë që ka shtënë me armë, janë arratisur nga vendi i ngjarjes dhe janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së tyre.
Me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarve kanë nisur hetimet për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’.