Prizrenasi sulmohet nga vëllai dhe nipat, shkak mosmarrëveshjet për pronë

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, të cilat shpesh edhe eskalojnë në kërcënime serioze. Të tilla incidente jo rrallëherë ndodhin edhe brenda familjeve. Një rast i tillë është raportuar dje në rrugën “Nehat Berisha” në Prizren.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë përfshirë dy vëllezër Krasniqi, njëri prej të cilëve e ka sulmuar fizikisht tjetrin, për shkak të mosmarrëveshjeve për pronë, që u bënë mollë sherri mes tyre.

Sipas informacioneve të para, mes dy palëve fillimisht ka nisur një zënkë, por për shkak se të njëjtit s’janë marrë vesh, i dyshuari bashkë me djalin dhe nipat e kanë rrahur vëllain e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar atë që ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes.

Të dyshuarit janë arrestuar nga Policia dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ndaj të dyshuarve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *