Gjatë intervistës në CNN Albin Kurti prapë foli për luftë.
Është hera e tretë në më pak se dy muaj që kryeministri i Kosovës flet për mundësinë e një lufte në mes të Kosovës dhe Serbisë në një medium ndërkombëtar.
Tre gjëra që asnjë grua nuk duhet të bëjë pas seksit – Gazeta Express
Megjithatë për ish-ministrin e mbrojtjes dhe njëherit anëtarin e komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Anton Quni, rreziku i luftës mes Kosovës e Serbia është pothuajse inekzistente.
Gjithsesi, Quni, për deklaratën e fundit të kryeministrit Kurti lidhur me mundësinë e një konflikti të armatosur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka përjashtuar tendencat e palës serbe për destabilizim të situatës së sigurisë në vend duke përdorur forma jokonvencionale.
“Nuk kam informata të besueshme për rrezikimin e territorit të Kosovës me invadim ushtarak nga territori i Serbisë. Por, nuk përjashtohet mundësia e tendencës për ta destabilizuar situatën nga formacionet kriminale dhe paramilitare, përmes luftës speciale, hibride e kibernetike”, ka thënë Quni për AP.
Edhe për Gëzim Visokën, profesorin e Studimeve të Konfliktit dhe Paqes në “Dublin City University”, një gjë është e pakontestueshme – fakti se ka një sërë sulmesh dhe kërcënimesh hibride të intensitetit të ulët që Serbia është duke ushtruar mbi Kosovën në rrafshin diplomatik dhe atë të brendshëm.
Sipas Visokës, Serbia përveç lobimit në arenën ndërkombëtare për ta delegjitimuar pavarësinë e Kosovës, po tenton ta destabilizoje Veriun e vendit përmes grupeve politike të kriminalizuara në atë mënyrë për të pamundësuar ushtrimin e sovranitetit dhe autoritetit politik të Qeverisë së Kosovës.
“Për më shumë, sulmet kibernetike që kanë për qëllim destabilizimin e brendshëm të Kosovës si dhe pamundësimin e konsolidimit të konsensusit politik dhe shoqëror për të tejkaluar krizën ekonomike si dhe tejkaluar ndasitë sa i përket normalizimit të marrëdhënieve më Serbinë, janë shpeshtuar”, ka thënë Visoka
Njëjtë si Quni edhe Visoka mendon se gjasat për një luftë të hapur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të vogla, kjo falë prezencës së misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
“Mirëpo zhvillimet e paparashikueshme në Evropën Lindore, Kaukaz, dhe Azi Qendrore janë shenja që përkundër prezencës së strukturave të sigurisë aktet agresive si dhe rikthimi i luftës është bërë realitet”, shpjegon ai për AP.
Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni.
“Gjithnjë duke pasur në konsideratë prezencën ushtarake ndërkombëtare dhe kapacitetet vendore në fushën e sigurisë, do të ishte sfiduese për Beogradin që të fillojë një aventurë të tillë”, deklaron ai për Albanian Post.
Në anën tjetër Visoka nënvizon faktin se mos-tentimi i zgjidhjes së problemit përmes dialogut, në vendet ku proceset e paqes kanë dështuar, ka shpeshtuar trendin e rritjes së konfrontimeve të drejtpërdrejta.
“Për shembull, përtej Ukrainës tani kemi hapje të fronteve të reja të konfrontimeve në mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, si dhe ndërmjet Taxhikistanit dhe Kirgistanit. Prandaj, nuk duhet nënçmuar mundësinë që zhvillime të njëjta të shpërndahen edhe në rajonin e Evropës Juglindore”.
Kurti dhe Lufta
Ka pasur thirrje, madje edhe komunikatë zyrtare nga Bashkimi Evropian që liderët në Kosovë e Serbi t’i ulin tonet e të mos flasin për luftën, por këto thirrje s’kanë kryer punë.
Albin Kurti, njejtë si Aleksander Vuçiç, para disa ditësh, prap ka folur për potencialitetin e luftës në një intervistë të tij në CNN.
Ai deklaroi se edhe për faktin se trupat e NATO-s janë në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duhet të shqetësohemi.
“Jemi të sigurtë, por kjo nuk do të thotë që s’duhemi të shqetësohemi”, tha ai.
Fjalën luftë Kurti e zuri në gojë edhe në një intervistë për mediumin kroat, Vecernji List.
E si pretekst për këtë, Kurti dha armatimin e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina.
Përveç armatimit, Kurti ka vënë theksin te vendosja e bazave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Marrë për bazë këto do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më luftë. Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitje më të rëndësishme ushtarake të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllave’?”, kishte pyetur Kurti.
Më 8 gusht, një javë pasi situata në Veriun e Kosovës ishte e tensionuar si rrjedhojë e fillimit të implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe kartat e identitetit, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, Kurti kishte nënvizuar po të njëjtën gjë – rrezikun për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.
Pretekstet edhe atëherë ishin të njëjta. Dallimi qëndronte në kontekstin politik.
Duke parë atë çfarë Rusia ka bërë me Ukrainën, Kurti kishte thënë se “do të isha i papërgjegjshëm po të shprehesha ndryshe”.
“Nuk do të thoja që [rreziku] është tejet i lartë, për shkak edhe se kemi kontingjentin e NATO-s këtu, por sigurisht se i lartë”.
“Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, do të jenë shumë të larta”, ishte shprehur ai.