Zgjedhja e Guvernatorit të BQK-së është kthyer në pikën zero, Trusti Pensional është ende pa bord.Përpos këtyre, 11 ministri janë me ushtrues detyre në pozitën e sekretarit.
Lidhur me këto, për Gazeta Blic, Ferat Shala, deputet i PDK, thotë se mazhoranca e ka kthyer procesin për Guvernator në pikën zero, si metodë që të dominojë BQK-në dhe të harxhojë afatet ligjore.
“Është e vërtetë që ka kaluar çdo afat dhe mazhonraca e ka kthyer procesin në pikën zero çështjen e Guvernatorit, politikë kjo e tyre për ta dominuar menaxhimin e BQK-së e kanë zgjedhur praktikën apo metodën e vendosjes apo harxhimit të afateve ligjore dhe vendosjes së ushtruesve të tyre”, thotë ai.
Sipas Shalës, njësoj është vepruar nga VV edhe me shumë digasterë e ministri, ku shumë pozita të rëndësishme janë me ushtrues detyre dhe se këto po bëhen që të vendosin njerëz të tyre politikë apo militantë.
“Njëjtë është vepruar pothuajse në shumicën e digastërve qeveritarë, në shumicën e ndërmarrjeve publike, në shumicën e departamenteve dhe agjencioneve, por me theks të veçantë është që shumica e ministrive janë me sekretar po ashtu me ushtrues detyre. Njëkohësisht në shumë ndërmarrje publike dhe pika të ndjeshme për ekonominë e vendit janë vendosur ushtrues detyre, e vetmja zgjidhje për të atashuar nivelet politike të Lëvizjes Vetëvendosje apo militantët politikë”, vlerëson deputeti i PDK-së.
Shala thotë se kështu është vepruar edhe me Trustin, i cili është pa bord dhe e gjithë është paaftësi e qeverisë dhe kapje e institucioneve.“Kjo është vërejtur dhe atje ku nuk kanë pasur mundësi, siç është rasti me Trustin, kanë lënë para pa zgjedhur Bordin dhe sot edhe Trusti është i mbetur jashtë normalitetit, derisa nuk ka institucione udhëheqëse siç është bordi. Fatkeqësisht diçka e tillë po ndodhë si paaftësi qeverisëse dhe kapje e institucioneve dhe këto reflektojnë jashtëzakonisht rëndë në ekonominë e vendit në procesin zhvillimor”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Sipas deputetit të PDK-së, këto po ndikojnë rëndë në ekonominë e vendit dhe po e pësojnë qytetarët e Kosovës.“Këto po ndikojnë rëndë edhe në procesin e menaxhimit të parasë publike, si dhe në ngritjen e inflacionit dhe vendimeve tjera që janë direkt ndikueshëm në jetën e qytetarit. Sot qytetarët e Kosovës, si rezultat i keq menaxhimit dhe i politikave të tilla jetojnë më keq se 1 apo 2 vite më parë. Sot statistikat tregojnë se ne kemi një degradim jashtëzakonisht të madh institucional dhe kemi një shkallë të lartë të korrupsionit. Departamenti i shtetit e dëshmon këtë, se korrupsioni në Kosovë ka rritje dhe është dukuri shqetësuese. Të gjitha këto janë elemente të cilat ne sot po ballafaqohemi me këtë qeverisje”, potencon Ferat Shala.
Lidhur me pritjet nga procesi nga pika zero për zgjedhjen e Guvernatorit të BQK, deputeti thotë se Qeveria i ka dhënë hapësirë vetes që ta zgjedh atë që e preferon dhe se tani aty si u.d e ka kandidatin e saj për deputet që ka qenë.
“Tashmë qeveria i ka dhënë hapësirë vetes, në mënyrë që të reflektojë dhe të zgjedh atë që e preferon. Nuk ka si e ndalon sepse tani i ka të gjithë të dëgjueshmit në sistem dhe në fund të fundit, edhe nuk i ngutet, sepse e ka një ish kandidat për deputet në krye të këtij institucioni. E keni parë se tashmë edhe u.d e zëvendës guvernatorit tashmë ka dhënë dorëheqje dhe të gjitha këto janë reflektime dhe zhvillime të cilat po i kryejnë hapat e vet mazhoranca. Pra, në esencë ajo ka arritur qëllimet e veta, unë kam paralajmëruar se do të ndodhë diçka e tillë, sepse rruga që kanë ndjekur ka qenë e qartë dhe e thjeshtë, që i duhen në krye të institucioneve njerëz të dëgjueshëm të politikës”, deklaron deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Ndërsa, ish kryetari i Odës Ekonomike, njëherësh ekspert i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë po dominon agjenda politike në çdo fushë dhe se çmohet vetëm përkatësia politike e jo profesionalizmi.
“Është e vërtetë që në Kosovë agjenda politike po dominon dhe pothuajse çdo gjë është politizuar. Dëmet më të mëdha janë që edhe ekonomia ka rënë në ndikimin e një politizimi të tillë. Vetë fakti që sot nuk çmohet vlera por vetëm përkatësia partiake politike është brenda më e madhe në qasje të politizimit të çdo gjëje kredibile vendore”, shprehet ai për Gazeta Blic.
Shqetësues ai e sheh atë që po ndodh me BQK-në.“Rasti më shqetësues është ajo që po ndodh në Bankën Qendrore, kur dihet në çfarë mënyre dhe çfarë parregullsie u largua Guvernatori i derimëtashëm. Sot BQK është në mëshirë të ushtruesit të detyrës, në mungesë të vendimmarrjes dhe në kohë të krizave, kjo bankë është e nivelit më të lartë shtetëror”, vlerëson Gërxhaliu.
Eksperti i sigurisë thotë se pas BQK-së, në gjendje jo të mirë është Trusti Pensional, i cili është pa Bord dhe paratë e qytetarëve janë në mëshirën e kohës.“Në rend të dytë e kemi Trustin Pensional, i cili menaxhon afër 2.5 miliardë euro, para të qytetarëve dhe fati i tyre është në mëshirën e kohës sepse sot nuk mund të ketë vendimmarrje në Trustin Pensional, qoftë kur kemi alokim, realokim, blerje apo investime të reja dhe kjo është një barrë që do t’u kalkulohet qytetarëve me humbje permanente”, thekson Safët Gërxhaliu për Gazeta Blic.
Ai shton se përpos këtyre dy institucioneve, me ushtrues detyre janë edhe shumë digasterë të tjerë, e për të gjitha këto po paguan qytetari i Kosovës.
“Në anën tjetër, jo vetëm këto dy institucione të rëndësishme janë të pakompletuara, por janë edhe digasterë të tjerë apo ministri që janë në mëshirën e ushtruesve detyre, se sa në ngritje të përgjegjësisë, qoftë institucionale, qoftë individuale. Prandaj ky çmim do të paguhet shumë shtrenjtë nga qytetarët e Kosovës”, potencon ai.
Gërxhaliu po ashtu vlerëson se pasojat e kësaj do të reflektojnë negativisht me kohë dhe se nuk duhet gjithmonë të shikohet vetëm përkatësia politike.
“Sot politikës i duket diçka e mirë por me kalimin e kohës do të reflektojë në kontekst negativ. Nuk duhet gjithmonë të jetë vetëm përkatësia politike determinante i këtyre procese, nuk duhet gjithmonë të anashkalohet vlera dhe ekspertiza vendore, prandaj vërtetë është koha kur duhet reflektim dhe vetë fakti se tani procesi i zgjedhjes së Guvernatorit jozyrtarisht është kthyer në pikën zero, është një dëm që po i bëhet Kosovës, sepse një proces i tillë do të marrë kohë mjaft të gjatë dhe nuk e di cila do të jetë mundësia e kompletimit të Bordit të Trustit Pensional, por definitivisht derisa flasim për shkallë të papunësisë, derisa flasim për ikje të rinjve nga Kosova dhe kemi nevojë në institucione dhe ata nuk pranohen për hir të argumentimeve të pakuptimta, është vërtet një dëm që Kosovës nuk i bën nder dhe këtë nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës”, deklaron Gërxhaliu./Gazeta Blic/