Në mbledhjen e parë për muajin gusht, e cila ishte e 216-ta me radhë e Qeverisë, morëm 24 vendime, ndër të cilat:
Ndamë 12,328,684.00 euro, për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në tre fusha prioritare:
Në kuadër të Masës 4.6 – Mbështetja e ndërmarrjeve publike ndamë 4 milionë euro për Trepçën;
Në kuadër të Masës 4.1 – Mbështetja për Shëndetësinë, ndamë 1.7 milion euro për blerjen e pajisjeve të reja dhe funksionalizim të Poliklinikës në Podujevë;
Ndërkaq, në kuadër të Masës 4.2 – Mbështetja për Arsimin, ndamë 6.5 milionë euro për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.
-Për përkrahje të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, e aprovuam kërkesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për transfer të mjeteve buxhetore në shumë prej 1.99 milion euro. Ndërsa për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025, gjithashtu aprovuam kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për transfer të brendshëm buxhetor në vlerën 7,375,138 euro.
-Miratuam dhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes për projektin “Efiçienca e Energjisë në ndërtesa Publike në Prizren” nga “Programi Rajonal i Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor”.
-Plotësuam dhe ndryshuam dy vendime të mëhershme. Me njërin vendosëm regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Botsvanës, Republikës së Namibisë dhe Republikës së Afrikës së Jugut. Ndërkaq, me vendimin tjetër, po mundësojmë pranimin edhe të gazetarit të 21-të me radhë në mesin e gazetarëve ukrainas në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence Kosovo” të financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Miratuam tre projektligje për aderimin e Kosovës në Konventat Ndërkombëtare për:
Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare;
Marrjen e Provave Jashtë Vendit në Çështjet Civile apo Tregtare;
Zgjidhjen e Marrëveshjeve Gjyqësore.
Aprovuam edhe katër rregullore:
Rregulloren për Edukimin, Trajnimin dhe Njohjen e Shërbimeve dhe Ekspertëve në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi bërthamor;
Rregulloren për Menaxhimin e Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar;
Rregulloren për Ekspertët, në përputhje me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik;
Rregulloren për Procedurat dhe Kriteret e Vlerësimit dhe Njohjes së Statusit dhe të Drejtave të Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.
-Në fund, te të ndryshmet, shkarkuam Bordin e Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” ShA Pejë dhe emëruam Bordin e ri të Përkohshëm.