Rrahman Jasharaj: Nëse i pengoj Albin Kurtit, nuk i shkoj në takim – për hir të procesit

Qindra mijëra nxënës në Kosovë edhe nesër do të mbeten jashtë shkollave, ndonëse do të duhej të niste java e dytë e vitit shkollor. Sindikalistët e arsimit po këmbëngulin se do ta vazhdojnë grevën, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje. As takimi i fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të BSPK-së, Atdhe Hykolli, nuk ka pasur sukses. Për pasojë, greva do të vazhdojë derisa grevistët ta marrin në formë të shkruar një ofertë, thotë kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, shkruan Sinjali.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Jasharaj tha se është i gatshëm të tërhiqet dhe të mos marrë pjesë në takimet me kryeministrin Albin Kurti, nëse siç tha ai “i pengon atij”.

Në të kundërtën, ai u shpreh se do të dialogonte në çfarëdo kohe, deri në orët e vona.

“Unë asnjëherë në jetën time kur kam qenë vetëm kryetar, në takime nuk shkoj vetëm. Unë jom i gatshëm që me anëtarët e Këshillit në çdo orë të ditës, madje edhe në orët e mbrëmjes të ulemi dhe të bisedojmë. Nëse Kurti e ka kundërshti ndaj meje dhe për hir të procesit nuk do të shkoja fare në takim, por të jenë anëtarët e Këshillit. Edhe nëse i pengoj Qeverisë unë, do të tërhiqesha, por le të jetë pjesa tjetër. Pra, nëse Kurtit i pengoj, nuk do t’i shkoja në takim”, tha ai për Sinjalin.

Jasharaj u shpreh po ashtu se derisa Këshilli të mos ta marrë një ofertë në letër, që të prezantohet te anëtarësia, greva do të vazhdojë.

“Këshilli grevistë është që të dialogoj. Edhe presidentja u angazhua që të ketë dialog, por jo për vendime. Kryeministri ose qeveria e tij duhet të takohet me Këshillin Grevist, të jetë me në edhe kryetari Hykolli, të na jap diçka në letër, që ta prezantojmë te anëtarësia, sepse Këshilli e menaxhon grevën, duhet respektuar edhe vullneti i anëtarësisë. Greva është bërë me kërkesën e tyre. Nëse nuk kemi ofertë të shkruar dhe dialog të mirëfilltë, ashtu siç e cakton ligji, atëherë i përgëzoj ata që mundohen të na sjellin deri te dialogu”, përfundoi Jasharaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *