Situata aktuale politike në vend ka bërë që opozita të kërkojë largimin e kryeministrit Albin Kurti, nga kreu i ekzekutivit.
Ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka nisur iniciativën për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.
Por, duket se ky mocion nuk po gjen përkrahje nga partitë e tjera opozitare, PDK dhe LDK.
Nga këto dy parti janë deklaruar se nuk mund t’i bëjnë numrat për rrëzimin e Qeverisë, derisa partia në pushtet, Vetëvendosje, e ka shumicën parlamentare në Kuvend.
E, duket se qëndrimet nga këto parti nuk kanë ndryshuar.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se qëndrimi është i njëjtë dhe se votat e opozitës bashkë nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë.
“Qëndrimi është i njëjtë siç e kam thënë më herët që votat e PDK-së dhe të gjithë opozitës bashkë janë të pamjaftueshme”, shprehet ajo.
Se votat nuk janë të mjaftueshme thotë edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Por, ajo për Gazeta Blic thotë se Kurti duhet të largohet nga posti i kryeministrit.