Një raport i fundit i Komisionit Europian në lidhje me kushtet e punës, që realizohet çdo 5 vjet, ka dalë në përfundimin se punonjësit shqiptarë, si meshkujt edhe femrat kanë oraret më të gjata të punës në Europë, që arrijnë deri në 50 orë në javë, ndërkohë që Kodi i Punës parashikon 40 orë punë në javë.
“Kjo ndodh, pasi Shqipëria ka numrin më të lartë të të vetëpunësuarve në rajon, me 36% të totalit të punësuarve. Dikush ka një lokal, një biznes që e hap herët në mëngjes dhe e mbyll shumë vonë në darkë, me qëllim që të rrise të ardhurat dhe përfitimet e tij. Ashtu sikundër një berber, duke qenë se në një lagje mund të ketë 5-6 berberë të tjerë, atëherë gjykon se mund të jetë konkurues duke e mbajtur hapur biznesin e tij me orar e pa orar, në ditë festash dhe fundjavë.
Një arsye tjetër është se shumë sipërmarrje apo biznese në Shqipëri nuk respektojnë kontratat e punës, Kodin e Punës që parashikon 40 orë punë në javë, si dhe pushim fundjavën, apo VKM-të sipas të cilave nëse festa zyrtare bie të shunën apo të dielën, pushimi spostohet të hënën dhe të martën.
Një arsye tjetër është psikologia e punëdhënësve që e matin punën më prani fizike dhe jo me rezultatet konkrete. Thënë ndryshe ti mund të rrish 10 orë në punë, por je produktiv 3 orë, pra ti rri kot një pjesë të mirë të ditës.”- u shpreh Erion Muça, Ekspert i punësimi.
Institucioni përgjegjës për rregullimin e kësaj situate është Inspektoriati I Punës, që kontrollon respektimin e kontratave të punës. Nga nevoja për punë dhe nga mungesa e hapësirave shumë punonjës nuk denoncojnë, por preferojnë të largohen në kompani tjetër me çantë në dorë dhe në kërkim për pagë dhe kushte më të mira punë.
Në rajon Kodi i Punës respektohet në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.