Mediat zviceriane i kanë bërë jehonë rastit të një 34-vjeçareje me origjinë shqiptare e cila shpëtoi një fëmijë nga mbytja në një pishinë në qytetin e Wil.
Nazlie Selimaj, 34-vjeçarja nga Kosova që jeton në Aargau, Zvicër, ishte duke kaluar një ditë të këndshme me familjen e saj në pishinë të dielën e kaluar, kur ajo kreu aktin heroik.
“Motra ime jeton me familjen e saj atje në rajon dhe ne ishim shumë të lumtur që kishim shkuar për të kaluar ditën me diell në pishina. Por më pas, pak para orës 17:00, një ngjarje dramatike ka ndodhur në pishinën e mesme”, tha Selimaj për Blick.ch.
– Advertisement –
“I kam shpëtuar jetën një vogëlushi afgan katërvjeçar”, shton ajo.
“Po shijoja një akullore me bashkëshortin dhe djemtë e mi të vegjël. Bashkëshorti im më pas pa një baba duke vrapuar në pishinën e mesme, duke nxjerrë djalin e tij nga uji dhe duke e mbajtur pa ndjenja në krah. Babai ishte i dërrmuar. Vrapova menjëherë tek ata të dy, kam marrë fëmijën nga babai dhe i dhashë ndihmën e parë. E kapa djalin nën sqetull dhe vërejta se uji po i shkonte në trup, e shtriva në tokë dhe nisa t’i masazhoj zemrën”, sqaroi 34-vjeçarja.
Selimaj, e cila punon si infermiere, e dinte mirë se çfarë po bënte. Djalit iu rikthye vetëdija. “Në atë moment babai i tij u rrëzua përtokë dhe humbi ndjenjat”. Aty ka qenë edhe nëna e djalit dhe pak kohë më pas i ati ka rikthyer vetëdijen. “Pastaj u ktheva atyre fëmijën e tyre”, deklaroi shqiptarja.