Si mund të përfitoni subvencion për izolimin e shtëpisë, cilat janë kriteret?

Me qëllim kursimin më të madh të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës ka vendosur të subvencionojë rreth dy mijë familje për izolimin e shtëpive të tyre.

Ky subvencion do të përfshijë koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit.

Aplikimi në thirrjen për “masa të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit” mund të bëhet përmes platformës elektronike e-Kosova, në seksionin “Grante dhe subvencione”.

Qytetarët mund të aplikojnë nga 8 gushti deri më 25 shtator 2023. Ata, të cilët i plotësojnë kriteret, do të përfitojnë një subvencion prej 45 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh.

Për këtë projekt janë ndarë gjithsej 10 milionë euro. Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

Subvencion më i madh për gratë pronare

Pronat, të cilat janë në bashkëpronësi të bashkëshortëve ose në pronësi të grave, do të subvencionohen me 50 për qind të kostos së investimit.

Për të vërtetuar se një shtëpi është në pronësi të një gruaje, ose në bashkëpronësi nga bashkëshortët, në sistem të aplikimit duhet të futet edhe certifikata e pronës, e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se gjashtë muaj.

Kush ka të drejtë aplikimi dhe cilat janë kriteret?

Të drejtë aplikimi për të përfituar subvencion kanë të gjithë qytetarët, të cilët i përmbushin kriteret e përcaktuara nga FKEE-ja.

Aplikimet do të trajtohen mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari”, për sa kohë që ka fonde të lira, apo që buxheti të rishikohet nga FKEE-ja.

Kusht i detyrueshëm për të përfituar nga subvencioni është izolimi termik i mureve të jashtme të shtëpisë.

Kriter tjetër është që shtëpia të jetë e banueshme, si dhe në 24 muajt e fundit të ketë konsum të energjisë elektrike prej së paku 250 kilovatësh orë për muaj.

Për të përfituar nga subvencionimi, kusht kyç është që shtëpia të mos ketë izolim termik, ose të jetë nën kërkesat minimale teknike – që përfshijnë: trashësi të izolimit të mureve të jashtme nën 8 centimetra, izolim termik të kulmit nën 10 centimetra, ose dyer dhe dritare joefiçiente.

Auditorët e energjisë

Për të vërtetuar se shtëpia nuk është e izoluar, ose është pjesërisht e izoluar, aplikuesit i rekomandohet të angazhojë një auditor të certifikuar të energjisë.

Institucionet e Kosovës kanë krijuar një listë me emrat e auditorëve të energjisë, të cilët mund t’i kontaktojnë qytetarët.

Auditorët e certifikuar të energjisë do të kryejnë inspektim të shtëpisë së aplikuesit, për të analizuar gjendjen ekzistuese. Ata do të ofrojnë rekomandime për instalimin e masave të nevojshme të efiçiencës së energjisë.

Auditori i energjisë do të kompensohet me një shumë shtesë të subvencionit.

Kostoja e pranuar për një raport të auditimit të energjisë është kosto fikse, pavarësisht nga madhësia e ndërtesës ose vendndodhja gjeografike e shtëpisë së aplikuesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *