Notice: Function _load_textdomain_just_in_time was called incorrectly. Translation loading for the wordpress-seo domain was triggered too early. This is usually an indicator for some code in the plugin or theme running too early. Translations should be loaded at the init action or later. Please see Debugging in WordPress for more information. (This message was added in version 6.7.0.) in /home/frontqym/public_html/wp-includes/functions.php on line 6114
Skena politike në ethe, vendimi i Kushtetueses mund ta rrëzojë presidenten Osmani -

Skena politike në ethe, vendimi i Kushtetueses mund ta rrëzojë presidenten Osmani

Katër paragrafë të një vendimi të PZAP, ku pranohej pjesërisht e bazuar ankesa e partive të komuniteteve pakicë për ndërhyrjen që kishte pasur në procsin e votimit Lista Serbe, pritet që t`i japin Gjykatës Kushtetuese argumente të qëndrueshme që dy deputetë nga këto komunitete të shpallen jolegjitim, bëjnë të ditur burime të Gazeta 10.

Që të dy këta deputetë, kanë marrë pjesë në raundin e parë të zgjedhjes së presidentes së vendit, ku obligative është që në sallë të jenë 80 deputetë.

Në zgjedhjen e Presidentes Vjosa Osmani, në raundin e parë ka qenë të pranishëm në sallë 81 deputetë.

Si rezultat, procesi i zgjedhjes së presidentes, thonë burimet, mund të shpallet i pavlefshëm, dhe përbërja aktuale e Kuvendit do të detyrohet të votojë president të ri, ose vendi të shkojë në zgjedhje.

E gjithë hitsoria ka të bëjë me manipulimin që kishte bërë Lista Serbe duke i obliguar qytetarët e komunitetit serb të votojnë për kandidatë lojal ndaj tyre brenda listave të komuniteteve tjera pakicë. Përmes këtij presioni, kjo parti kishte siguruar në zgjedhjet e fundit 10 deputetë të rezervuar për komunitetin serb, duke marrë kështu edhe deputetë nga komunitete tjera në grupin e tyre parlamentar.

E para që kishte fituar betejën, ka qenë deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje. Ajo kishte kontestuar votat e Adriana Hoxhiq sepse të njëjtat ishin konstatuar që vinin nga lokalitete ku nuk ka komunitet boshnjak.

Mbi të njëjtin argument, sipas burimeve të Gazeta 10, pritet që ta fitojë të drejtën për ta kthyer mandatin e deputetit edhe Veton Berisha nga komuniteti egjiptian.

Por ndryshime pritet të ketë edhe tek një deputet nga komuniteti rom, pasi që Partia Rome e Bashkuar e Kosovës ka ofruar dëshmi se deputeti i zgjedhur ka marrë më shumë vota nga një lokalitet se sa ka votues romë të regjistruar.

Këtë fakt, e ka vërtetuar vetë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa në arsyetimin e vendimit A.nr736/2021.

“Subjekti politik Romani Iniciativa, ka marrë vota më shumë se që ka pasur votues potencial të komunitetit rom, për të votuar në ditën e votimit të datës 14 shkurt 2021, […], bazuar në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i vitit 2011, Raportit të OSBE-së të vitit 2018, dhe bazuar në listën përfundimtare të votimit të verifikuar emër për emër secilin votues potencial. Votat e marra në vendvotimet e lartcekura nga Romani Iniciativa, janë në disproporcion me numrin e banorëve, të komunitetit rom, e të cilat paraqesin vota të pavlefshme, për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti tjetër të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër dhe si të tilla nuk paraqesin lidhje objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar”, shkruhet në arsyetimin e PZAP.

Po ashtu, PZAP ka konstatuar edhe një të gjetur tjetër.

“E drejta e votës dhe liria e votimit në rastin e vendeve të rezervuara nuk është identike me rastin e vendeve, pasi për vendet e rezervuara është me rëndësi lidhja objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar [theks i shtuar], sepse vetëm kështu sigurohet e drejta e përfaqësimit në kuptimin e dispozitave të LZP-së dhe në frymën e dispozitave dhe standardeve kushtetuese. Vendet e rezervuara janë garanci kushtetuese, të cilat Republika e Kosovës i ka marrë, me të vetmin qëllim për trajtimin e avancuar të të drejtave të pakicave në kuadër të institucioneve shtetërore”, thuhet në vendim.

Këto paragrafe të arsyetimit të PZAP-së gjenden edhe në opinionin e Avokatit të Popullit për Gjykatën Kushtetuese referuar ankesës së njëjtë.

“Avokati i Popullit konsideron se është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të shqyrtoj kërkesën nga subjektet politike Partia Liberale Egjiptiane (PLE), Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), dhe individët Veton Berisha nga komuniteti egjiptian dhe Albert Kinolli nga komuniteti rom dhe të vlerësoj nëse në rastin konkret janë cenuar apo jo të drejtat zgjedhoredhe të pjesëmarrjes, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në opinion, të cilin e ka parë Gazeta 10.

“Avokati i Popullit konsideron se është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës që duke organizuar procesin zgjedhor të garantojnë realizimin e të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke i përfshirë edhe pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë” thuhet në opinion.

Aty, Avokati i Popullit nuk ka dashur të lëshohet në vlerësimin dhe komentimin e vendimeve të PZAP dhe GjS.

“Përkundër këtij fakti, Avokati i Popullit vlerëson se për raste të njëjta organet vendimmarrëseduhet të nxjerrin vendime të njëjta. Në këtë mënyrë garantohet realizimi pa dallim i të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare, në të kundërtën, nëse për raste të njëjta nxjerrën vendime të ndryshme, atëherë krijohet situatë e pabarazisë dhe standardeve të dyfishta të vendosura nga organet vendimmarrëse. Në rastin e ankuesve, Avokati i Popullit vëren se PZAP dhe GjS kanë përdorur argumentet e paraqitura nga ankuesit, dhe në bazë të tyre kanë nxjerrë vendimet sipas të cilave disa janë aprovuar pjesërisht, ndërsa disa të tjera janë refuzuar”, kontstaon Avokati Popullit./Gazeta10

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *