Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Lista Serbe ka lenë vakum Kushtetues pas largimit nga Kuvendi.
Sipas Tahirit, çështja është ndërlikuar shumë dhe ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje.
“Dorëzimi i mandateve nga Lista Serbe është shumë problem, pasi KQZ-ja duhet të trajtojë persona të tjerë që janë në lista e ata nuk do të pranojnë të marrin mandate, do të vijmë në një situatë kur Kuvendi nuk do të ketë 120 deputetë, do të kemi vakum kushtetues … Ajo që po shohim është se çështja është ndërlikuar shumë dhe ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se situata në veri duhet të trajtohet më seriozitet pasi që një çështje teknike po del të jetë problem për sigurinë e Kosovës.
“Në Kryesi të Kuvendit e kam ngritur çështjen e Zhvillimeve në veri të Kosovës, e kam ngritur pasi që është e nevojshme që si grupe parlamentare, si Kryesi, ta trajtojë këtë çështje seriozisht. Tema është shumë më serioze sesa që po trajtohet, po minimizohet, po del çështje teknike, targat si një vendim teknik po na kthehet në problem të sigurisë”, ka deklaruar Tahiri.
Lista Serbe këtë të shtunë është larguar nga Kuvendi, po ashtu edhe pjesëtaret serb të PK-së, kanë dorëzuar uniformat e tyre në komunat ku kanë shërbyer.