Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot në Tiranë ku ka zhvilluar një takim të paparalajmëruar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Takimi Rama-Kurti është zhvilluar pa praninë e mediave, në ambientet e Vilës qeveritare 30 në Tiranë. Pas takimit asnjëri nga dy kryeministrat nuk janë prononcuar për media as nuk kanë lëshuar ndonjë komunikatë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka treguar se cili ishte qëllimi i takimit dhe çfarë biseduan Kurti dhe Rama.
“Në këtë takim dy kryeministrat kanë folur për çështjet e politikave publike e qeveritare dhe socio-ekonomike në Kosovë e Shqipëri, me theks të veçantë në sfidat energjetike dhe shkëmbimin që po bëjnë KEK me KESh”, ka thënë Kryeziu për Telegrafin.