Zëvendës kryeministrja, Belinda Ballaku shpjegoi se qeveria gjatë kësaj jave do të diskutojë e bëjë publike rritjen e pagave në sektorin shtetëror, pa harruar pensionistët.
Balluku: Do të kemi një mbledhje plus këtë të premte pikërisht për çështjen e pagave. Siç edhe e ka thënë kryeministri patjetër siç edhe ne bëjmë indeksim të vazhdueshëm të pensioneve është duke u studiuar edhe çështja për të rritur pensionet. Por siç do të rriten pagat me një fazim dy vjeçar ashtu do të duhet të ndodhi edhe për pensionet. Megjithatë ditën e premte ministri financave do të ketë mundësi që para jush sic po e bëj unë sot të bëjë një pasqyrë të qartë të të gjithë programit për rritjen e pagave në administratën publike që për të thënë të drejtën është pritur me shumë kënaqësi nga të gjithë punonjësit dhe vartësit tanë.
Këto rritje pagash të shtrira në dy faza janë cilësuar nga kryeministri Edi Rama si historike. Fillimisht ishin mjekët specialistë të cilëve duke nisur nga muaj Prilli paga iu rrit me 50.000 lekë. Ndërkohë qeveria është angazhuar që për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët do të aplikohet rritja me 7%. Në një bashkëbisedim me mësuesit të Martën, Kryeministri Rama deklaroi se rritja e pagave për ta, do të realizohet në dy etapa, ku fillimisht do të bëhet rritja 7 % dhe pastaj në hapin tjetër, vitin e ardhshëm paga e arsimtarëve do të kapërcejë në një tjetër nivel. Se çfarë rritje pagash do të ketë në administratën publike këtë kryeministri javën e shkuar e ilustroi me një takim me punonjësit e kryeministrisë.
Rama: Paga e Luljetës do të shkojë 135 mijë lekë dhe paga e Nexhmijes do të shkojë 125 mijë lekë. Pastaj Zenajda që është përgjegjëse sektori do t’i shkojë paga 158 mijë lekë. Pastaj Vjollca që është përsëri përgjegjëse sektori do ta ketë 149 mijë lekë.
Prej 5 ditësh, në Shqipëri ka nisur aplikimi pagës minimale në 40 mijë lekë e detyrueshme për sektorin publik dhe privat.
Kryeministri Edi Rama i ka vënë si objektiv qeverisë çuarjen e pagës mesatare në 900 euro deri në vitin 2024.