Telekomi i Kosovës, ka sqaruar problemet e shfaqura në operatorin Vala, lidhur me mosfunksionimin e platformave të internetit 2G dhe 3G.
Telekomi ka thënë se kanë hyrë në fazën e ndërtimit të platformave ekzistuese, të cilat si pasojë e mungesës së investimeve teknologjike prej mbi 8 vite, nuk kanë më kapacitet të mjaftueshëm për ta përballuar rritjen e kërkesave për shërbime të avancuara të internetit.
Në komunikatën për media thuhet se janë duke u bërë përpjekje që të rriten kapacitetet, në mënyrë që konsumatorët të shfrytëzojnë sa më mirë shërbimet, shkruan teve1.info
“Të premten, në kuadër të aktiviteteve për zgjerimin e kapaciteteve për rrjetin 4G, të cilat veçse janë rritur për rreth 25%, pati një afektim të pjesshëm në platformat e tjera të shërbimeve të internetit 2G dhe 3G. Sigurisht, kjo krijoi shqetësime të arsyeshme te konsumatorët tanë, shqetësime të cilat janë adresuar dhe është punuar e po punohet pa u ndalur për tejkalimin e plotë të tyre”, thuhet në komunikatë.
Tutje, në njoftim është thënë se: “është e qartë se fushat joparimore dhe të porositura për interesa të caktuara, çfarëdo qofshin ato, nuk do të arrijnë të zhvendosin fokusin tonë nga rimëkëmbja Telekomit të Kosovës”, e ku sipas tyre efektet e këtij procesi do të vërehen qysh në muajt e ardhshëm.
“Për me tepër, me qytetarët/konsumatorët tanë, në shërbim të të cilëve jemi 24/7, edhe përkundër këtyre fushatave dramatike të cilat sheshit e favorizojnë konkurrencën, do të ruajmë marrëdhënien e besimit të ndërsjellë të cilën e krijuam përgjatë vështirësive të cilat i kaluam bashkë, e që erdhën si pasojë e një menaxhimi të keq, mos investimi të gjatë në teknologji dhe mirëmbajtje të platformave si dhe abuzimit me pronën publike në të kaluarën e afërt”, thuhet mes tjerash.