Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Shemsi Istrefi’ në Vushtrri, ku pas një zënke mes dy të miturve në një internet kafe, ka mbetur i therur me thikë një 15-vjeçar.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës në Vushtrri kanë bërë me dije se viktima është dërguar atje në gjendje të rëndë me plagë në bark dhe dorë. Pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve ai është transferuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku në prezencën e prindit të tij, ka dhënë dëshminë lidhur me atë që ka ndodhur.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Tentim vrasje’.