Shqipëria do të ketë dy ndeshje të rëndësishme për kualifikimet për Kampionatin Evropian.
“Kuqezinjtë” do të përballen me Republikën Çeke me 7 shtator në udhëtim dhe me Poloninë me 10 shtator në Shqipëri, shkruan GazetaBlic Sport.
Kombëtarja e Shqipërisë ndodhet në pozitë të favorshme në grupin E të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, aty ku ka grumbulluar 6 pikë në 3 takimet e para duke u pozicionuar në vendin e dytë pas Çekisë që prinë grupin me 7 pikë.
Gazetari i njohur nga Shqipëria, Klaudio Ndreca ka folur për “GazetaBlic Sport” në lidhje me dy afrimet e reja të Shqipërisë si Arbnor Muja dhe Mirlind Daku.
Ndreca shprehet i bindur se Muja dhe Daku do ta përforcojnë shumë sulmin e Shqipërisë, duke u shprehur se pret të paktën një gol nga Daku në këto dy takime.
“Mujën realisht tifozët shqiptarë nuk është se e njohin shumë se çfarë lojtari është, por mjafton fakti se është shpallur kampion në Belgjikë dhe fakti që është kualifikuar për grupet e Champions League. Duke parë që Muja luan 90 minuta me ekipin e tij, për tifozët e Shqipërisë mjafton që të ngrihet zhurma dhe niveli i pritshmërisë dhe për të. Megjithatë mendoj që janë të paktë ata tifozë shqiptarë që e kanë parë Mujën tek luan 90 minuta te Antwerpi. Besoj që Muja ka shumë gjasa të luajë menjëherë titullar ndaj Çekisë. Muja do ketë konkurrencë me Jasir Asanin dhe kur bëhet fjalë për ndeshje kundër Çekisë ku nuk lejohet të humbasësh dhe luan në udhëtim, besoj që është më e udhës është të aktivizohet Muja pasi edhe në ndeshjen ndaj AEK-ut, kemi parë që bën punë të madhe në krah është i palodhshëm ndihmon në mbrojtje. Asani është më i mirë duke parë statistikat se Muja në situatat para portës, por kur bëhet fjalë për ndihmë në mbrojtje Asani nuk është ashtu si Muja. Sa i përket Dakut, mendoj se do jetë befasi shumë e madhe kam shumë besim te ky sulmues, është sulmues shumë i mirë i rrezikshëm. Jam i bindur që Daku do shënoj të paktën një gol në këto dy takime”, tha Ndreca për GazetaBlic Sport.