Tjetër “kusht” për Kosovën për antarësim në KE

Njëlloj si liberalizimi i vizave, edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Kësaj radhe, krejt hapur e pa shumë diplomaci, vendet e QUINT-it i kanë bërë të qartë qeverisë së Kosovës se nuk do të jetë e mundur që të avancohet në drejtim të anëtarësimit në këtë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtar pa u zbatuar një vendim i Gjykatës Kushtetuese që të shtunën e 20 majit mbush plot 7 vite prej kur është marrë.

Nëpërmjet një komunikate të përbashkët për media, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian bërë thirrje te Qeveria e Kosovës që të zbatojë “në tërësi dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.” Por, jo si një thirrje që shpesh e kemi dëgjuar nga vendet e QUINT-it. Kësaj radhe, thirrja është pasuar me një kusht fort të rëndësishëm për Kosovën, shkruan Paparaci.com.

Në komunikatë, QUINT-i ka thënë se qeveria e Kosovës duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se çdo qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të respektojë pavarësinë e gjyqësorit, derisa kanë përmendur se integrimi i Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike është i pamundur pa një gjë të tillë. Madje, në këtë komunikatë, përmendet se Kosova s’do të mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pa zbatimin e këtij vendimi.

“Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës. Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe janë parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë edhe përparimin e mëtejmë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesat e mëtejme janë pengesë në këtë progres.”, thotë komunikata.

Së këndejmi, është bërë e qartë nga vendet e QUINT-it se pavarësisht hapit pozitiv ku Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, kjo nuk do të jetë e mundur pa u respektuar vendimi për Manastirin e Deçanit.

Cili është kontesti për Manastirin e Deçanit dhe çfarë thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese?

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht, kishte përcaktuar se 24 hektarë tokë “të kontestuar” i takojnë këtij manastiri. Mirëpo, lidhur me këtë çështje, pushteti lokal në Deçan, refuzon zbatimin e këtij vendimi të Kushtetueses për shkak se pretendon se ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apliko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë s’i ka takuar manastirit, shkruan Paparaci.com.

Procesi gjyqësor për çështjen e Manastirit të Deçanit zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur edhe Gjykata Kushtetuese, saktësisht si sot 7 vite më parë vendosi në favor të Manastirit të Deçanit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Gjykata Kushtetuese, kishte kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të ndërmarrë veprime të mëtejme në përputhje me kompetencat ligjore lidhur me zbatimin e vendimit, ndërsa në vendimin për moszbatimin e aktgjykimit, Kushtetuesja theksoi se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nga organet përgjegjëse dhe këtë punë ia delegoi Prokurorit të Shtetit.

Që nga viti 2016, bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje të parreshtura ndaj qeverive të Kosovës dhe organeve vendore për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tani duket se durimi i tyre ka prekur fundin dhe respektimin e zbatimin e këtij vendimi e kanë lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Qëndrimet e Kurtit dhe Osmanit lidhur me Manastirin e Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani janë deklaruar “të rezervuar” sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me manastirin e Deçanit. Në shkurt të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati deklaruar se kontesti i Manastirit të Deçanit e ka burimin te një vendimi i qeverisë së Serbisë në vitin 1997 kur iu dhanë tokat manastirit të Deçanit pasi ato ishin pronë e dy ndërrmarrjeve publike.

Kurti pati deklaruar se Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor.

“Jemi të vetëdijshëm që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por duhet t’i kemi parasysh edhe kundërthëniet që i kanë përcjellë çështjet e tokave përreth Manastirit në aspektin historik dhe atë ligjor. Së pari gjithçka e ka burimin te vendimi i Qeverisë së Serbisë në vitin 1997 kur iu dhanë tokat Manastirit në mënyrë diskriminuese sepse ato ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket kishës ortodokse serbe. Është pak e habitshme se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë. Aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces duke i dhënë të drejtë Manastirit.”, pati deklaruar Kurti.

Ai gjithashtu kishte thënë se Manastiri i Deçanit është pjesë e mozaikut të pasur kulturor të Kosovës, por kishte deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk ishte dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar në të gjitha shkallët e tjera juridike.

“Çështja e pronësisë së tokave rreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë Gjykatë përkatëse dhe Kushtetuesja besoj se nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët tjera juridike. Manastiri i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e mozaikut të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht kisha ortodokse serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit, por edhe liderët fetarë të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale dhe besoj që një gjë e tillë është e mundur”, pati thënë Kurti aso kohe.

Në anën tjetër, në tetor të vitit 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, më 7 tetor, pati deklaruar se “duhet pasur shumë kujdes me precedentin që krijohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.”

“Mos harroni se Millosheviqi ka dhënë dhe ka marrë tokë në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, kjo është krejtësisht mbi baza diskriminuese. Madje, këtë e ka bërë gjatë viteve 1998-‘99, kur ishim në luftë, kur bëri gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Prandaj, ky është problemi themelor i këtij vendimi”, ka thënë Osmani.

Ku është procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE?

Në prill të 2023-ës, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. Kosova pati aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare. Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

Pas këtij hapi të suksesshëm, Asambleja Parlamentare do t’i caktojë dy raportues nga Komiteti për Çështje Politike dhe Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut që do t’i përgatisin raportet e tyre mbi Kosovën. Raporti do të diskutohet nga Komiteti për Çështje Politike dhe votohet nga Asambleja Parlamentare.

Pas përfundimit të raporteve, ato dërgohen për diskutim e votim në seancë plenare të Asamblesë Parlamentare dhe duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KE-së.

Për dallim nga Bashkimi Evropian, ku aplikimet për anëtarësim miratohen me konsensus, në Këshillin e Evropës pranimi i një anëtari të ri bëhet me shumicë votash. Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Megjithëse ishte përmendur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë shumë procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, tashmë është thënë decidivisht nga vendet e QUINT-it se respektimi dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit është kusht për avancimin e Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. /Paparaci.com/ 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *