Që nga 28 shkurti 2023 të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) iu ka përfunduar mandati.
Nga kjo datë, 2.5 miliardë euro nga pensionet e kosovarëve janë pa menaxhim, duke u ekspozuar para rreziqeve të mundshme për shkak se asnjë veprim nuk mund të merret pa një Bord funksional. Sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara.
Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, s’mund të investohen në tregje financiare dhe se nëse ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, askush s’mund të bëjë ndryshime për të evituar këtë.
Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj është mbyllur më 23 dhjetor 2022, por që nga atëherë Komisioni përgjegjës ende nuk i ka shqyrtuar kandidatët që kanë aplikuar.
“Për rikujtim, konkursi për anëtarë të Bordit Drejtues në FKPK është mbyllur më 23 dhjetor 2022, dhe Komisionit Përzgjedhës (i caktuar sipas Ligjit mbi Fondet Pensionale) i mbetet t’i shqyrtojë kandidatët potencialë që do t’ia procedojë për emërim Kuvendit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media nga FKPK të datës 1 mars.
Në këtë komunikatë, Trusti ka paralajmëruar për rreziqet që mund të ndodhin nëse nuk zgjedhet Bordi me kohë.
“Për shkak se vendimmarrja rreth investimeve është përgjegjësi ligjore/fiduciare ekskluzive e Bordit Drejtues, e cila nuk mund të delegohet, mungesa e Bordit Drejtues ia pamundëson institucionit të ndërmarrë çfarëdo vendimi për investimin e mjeteve pensionale, si për investimet e mjeteve pensionale jashtë Kosovës ashtu edhe për ato brenda Kosovës. Pra, të gjithë investimet aktuale nuk mund të ndryshohen (shtohen ose tërhiqen), ashtu sikurse të gjitha kontributet e reja pensionale që arkëtohen – nuk mund të investohen”, thuhet aty.
Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik sot, ka thënë se nga ana e tyre janë kryer të gjitha procedurat, siç është hapja e konkursit me kohë dhe dërgimi i kandidatëve për shqyrtim tek Komisioni përgjegjës.
“Ju informojmë që konkursi për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së është hapur nga institucioni në momentin që ka ardhur kërkesa nga Komisioni Përzgjedhës, i cili është organ ligjor përgjegjës për këtë çështje. Pas përfundimit të konkursit të gjitha aplikimet janë dërguar tek Komisioni Përzgjedhës”, ka thënë Demi.
Komisioni përbëhet nga Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm.
“Pas dërgimit të aplikimeve tek Komisioni Përzgjedhës përgjegjësia e FKPK-së për këtë çështje përfundon (siç është përcaktuar me legjislacionin në fuqi). Për të gjitha çështjet që nuk janë në kompetencën e institucionit tonë (pra FKPK-së) nuk mund të japim komente e as vlerësime”, ka shtuar Demi.
Lidhur me atë se a rrezikohen pensionet e kosovarëve në mungesë të Bordit, Demi ka thënë se “nuk mund dhe nuk duhet spekuluar”. Për këtë çështje tashmë ka ngritur alarmin edhe deputeti nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti i cili ka ka thënë se Trusti Pensional ka mbetur pa Bord dhe se si rrjedhojë 2.5 miliardë euro janë pa menaxhim.
Sipas Hotit, mungesa e Bordit mund të dëmtojë investimet e Trustit me qindra miliona euro për shkak se në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, s’mund të investohen në tregje financiare dhe se nëse ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, askush s’mund të bëjë ndryshime për të evituar këtë. “Në rast se ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, siç po ndodh muajve të fundit, askush nuk mund të bëjë ndryshime në portfolion e investimeve për të evituar uljen e vlerës së investimeve ekzistuese të Trustit”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se ministri i Financave, Auditori i Përgjithshëm dhe Guvernatori i BQK-së, duhet të japin llogari për këtë.
“Do të kërkoj mbledhje urgjente të Komisioni Parlamentar për Buxhet për të shqyrtuar këtë situatë. Mazhoranca që qeveris me vendin e ka refuzuar projektligjin për tërheqje të mjeteve nga Trusti. Tani, me neglizhencën e saj, po i dëmton me miliona euro qytetarët”, ka shkruar Hoti.