Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje shpesh herë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet.
Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në në një familje në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicë, Prokuroria ka nisur hetimet.
Sinjali mëson se në ngjarje janë përfshirë dy vëllezër, ku njëri nga ta dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.
Bazuar në dëshminë e viktimës, vëllai me të cilin jetojnë bashkë, e ka sulmuar fizikisht me pretekstin se ia ka dëmtuar biçikletën e tij. Për shkak të goditjeve me grushte që mori, 60-vjeçari ka pësuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, teksa rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Teksa ka rrëfyer ngjarjen para zyrtarëve policorë, viktima ka deklaruar se i dyshuari posa ka kryer veprën ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe nuk dihet se ku ndodhet.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar për veprën penale ‘Sulm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari i cili ndodhet në kërkim policor.