Rrugët e komunave në veri të Kosovës janë mbushur me flamuj të Serbisë, pas vendimit të përfaqësuesve politikë serbë për të dalë nga institucionet e Kosovës.
Media serbe N1 ka siguruar fotografi nga Leposaviqi, ku shihen afishe me flamurin serb me mbishkrimin “Kjo është Serbi” të vendosura gjithandej qendrës së qytetit, raporton Klankosova.tv.
Portali serb nga Kosova, “KoSSev”, njofton se situatë e njëjtë është edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ku flamujt po shpërndahen për kalimtarët nëpër qytet.
Flamujt janë paraqitur edhe në rrugët e Zveçanit ku sot është mbajtur konferenca për media e Listës Serbe ku është dhënë njoftimi për dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Në pakot në të cilat shpërndahen flamujt për qytetarët, ka një mbishkrim:
“Në këtë moment, i tërë veriu i Kosovës duhet të dekorohet me flamurin serb. Prandaj, afishojeni simbolin e shtetësisë sonë – flamurin tonë – në një vend të dukshëm në shtëpinë tuaj, që t’i tregojmë gjithë botës se në cilin vend jetojmë, për çfarë luftojmë dhe sa jemi”.