Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka dënuar ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës teksa ka shprehur solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës.
Në një postim në platformën “X”, Von Cramon e ka quajtur të papranueshëm sulmin e orkestruar ndaj forcave legjitime të policisë.
Ajo ka kërkuar që autorët të sillen sa më parë para drejtësisë.
“Sulmi i orkestruar ndaj forcave legjitime të policisë është absolutisht i papranueshëm, autorët e të cilit duhet të sillen para drejtësisë. Nevojitet de-përshkallëzimi i menjëhershëm duke përfshirë vendosjen dhe përforcimin e fuqishëm të KFOR-it në të gjithë veriun e Kosovës”, shkroi ajo.
Sipas von Cramon, pjesëmarrja e mundshme e strukturave serbe (nga Beogradi) duhet të hetohet, ndërkohë që është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin.
“Prandaj, u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të bindin njerëzit e armatosur në Manastirin e Banjskës që të dorëzojnë armët dhe të dorëzohen pa vonesa të mëtejshme. Mirëpres në këtë aspekt masat e kujdesshme dhe deskaluese të qeverisë së Kosovës sot, duke shpresuar që të gjithë të qëndrojnë të qetë në çdo pjesë të Kosovës. Shprehi ngushëllimet e mia në emër të Parlamentit Evropian familjes së policit të Kosovës të vrarë sot në detyrë dhe sinqerisht shpreson në shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve”, shtoi ajo.