Konflikti për një dele ka shkaktuar debate të forta në një familje në Gjakovë dhe ka eskaluar në kërcënime, ku për pasojë një person ka përfunduar në ndalim policor. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rogovë, dje në orët e mëngjesit.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur se në sherrin që plasi në këtë familje janë të përfshirë xhaxhai bashkë me nipin, të cilin dyshohet se e kërcënoi pasi i ngordhi një dele.
Akuzat në drejtim të tij kaluan në kanosje, ashtu që i dyshuari i është drejtuar djalit të vëllait “Nëse nuk merremi vesh me Polici, merremi vesh me plumb”.
Përballë kësaj situate, nipi 42-vjeçar ka kërkuar ndihmë nga Policia, ku e ka denoncuar xhaxhain e tij, i cili thotë se i ka shkaktuar frikë. Si rezultat i kërcënimit, Policia në koordinim me Prokurorinë, ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.
Sinjali mëson se aty nuk është gjetur ndonjë armë e as diçka e kundërligjshme, teksa në anën tjetër, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të njëjtit, Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Kanosja”.