Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se e dënon fuqishëm sulmin e sotëm ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku një rreshter mbeti i vrarë dhe dy policë të tjerë u lënduan dhe plagosën.
Lajçak ka shkruar në platformën “X” se dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme.
“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme”, shkroi ai.
Mes tjerash, ai kërkoi nga Kosova dhe Serbia – në mënyrë indirekte – që t’i kthehen menjëherë procesit dialogues, pa përmendur emrat e shteteve.
“Zemra ime është për viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”.