Nga sot fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën.
Kështu bëri të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Kosova i pret bashkatdhetarët me krahë hapur, duke siguruar policën e sigurimit falas me vlefshmëri një muaj në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.
“Të dashur bashkatdhetarë, si çdo verë, e përherë, Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot. Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse,” tha Kurti.
Edhe ministri i Financave Hekuran Murati para dy ditësh tha se polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.
“Duke filluar nga e hëna, me datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.
PS. Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi”, shkruan Murati.
Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri një muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe është e vlefshme vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.
Subvencionimi nuk përfshin policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij një mujor, dhe as automjetet si autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Policat e sigurimit të marra në zyrat e BKS brenda territorit të Kosovës, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.
Kjo iniciativë e Qeverisë ka për qëllim lehtësimin e udhëtimeve për bashkatdhetarët që vizitojnë vendin gjatë sezonit veror.