Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë qoftë nga bashkëshortët apo partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit. Në mesin e shumë grave ndaj të cilëve është ushtruar dhunë fizike e psikike është edhe një 38-vjeçare nga Gjakova, e cila është sulmuar brutalisht nga i dashuri i saj, dje pasdite.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është pranuar në spital me lëndime të rënda si pasojë e goditjeve nga i dashuri i saj S.Th., (35-vjeçar) i cili tashmë është arrestuar. Sinjali mëson se i dyshuari e ka sulmuar të dashurën në veturën e tij, rrugës nga Gjakova deri në Rahovec.
Për motive ende të panjohura, nga deklarata e viktimës është kuptuar se i dashuri ka ushtruar dhunë fizike gjatë gjithë kohës sa kanë qenë në veturë, derisa e ka dërguar në një fshat të Rahovecit, ku e ka lënë në mes të rrugës. E tmerruar për atë që i ndodhi, viktima arriti ta njoftojë Policinë, me ç’rast njësitet policore arritën në vendin e ngjarjes.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari ia ka thyer hundën të dashurës, si dhe i ka shkaktuar lëndime të tjera, për çka ka marrë trajtim mjekësor në spital.
Denoncimi i dhunës që ka përjetuar viktima u bë ‘sebep’ që i njëjti të arrestohet dhe shoqërohet në stacion policor për intervisitim. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.