Mbajtja e armëve nga të miturit tashmë është bërë dukuri që po shqetëson prindërit dhe shoqërinë.
Përpos armëve të zjarrit, ata shpesh herë kapen me armë të ftohta, të cilat edhe nuk hezitojnë t’i përdorin gjatë përleshjeve fizike në të cilat përfshihen.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje pasdite në një shkollë fillore të mesme të ulët në qytetin e Prizrenit, ku një i mitur ka therur me thikë një nxënës.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda hapësirave të objektit shkollor gjatë kohës kur nxënësit ishin në pushimin e gjatë mes orëve mësimore. Teksa nxënësit po qëndronin dhe po luanin së bashku, viktima ka marrë diçka për të ngrënë nga i dyshuari dhe në diskutim e sipër, i mituri dyshohet se ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur shokun e tij.
Si pasojë e lëndimeve të marra nga therja me mjetin e mprehtë, viktima është dërguar me urgjencë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare e më pas që aty është transferuar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.
Ndërkohë i mituri që dyshohet se kreu therjen është arrestuar nga Policia dhe i njëjti është intervistuar lidhur me ngjarjen.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.