Rastet e ngacmimeve, sulmeve e dhunimeve seksuale kanë marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Viktima zakonisht janë vajzat dhe gratë, të cilat në të shumtën e rasteve kërkojnë ndihmën e Policisë dhe dënimin e personave të dyshuar.
Mirëpo pre e dhunës seksuale rastis të jenë edhe burrat. Edhe më parë janë raportuar disa raste të dhunimeve ndaj personave që vuajnë dënimet me burgim në Qendrat Korrektuese në vend.
Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku një i burgosur ka raportuar se është dhunuar seksualisht nga një i burgosur tjetër.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur para më shumë se një muaji, mirëpo 25-vjeçari ka deklaruar se nuk ka pasur guxim që ta denoncojë rastin menjëherë pasi ka ndodhur.
Bazuar në dëshminë e 25-vjeçarit, i dyshuari Sh.K., (emër i njohur për redaksinë), fillimisht me anë të kërcënimeve kishte tentuar që ta detyrojë viktimën që të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Mirëpo kur ka hasur në refuzimin dhe rezistencën e 25-vjeçarit, i dyshuari me anë të forcës ka dhunuar seksualisht atë brenda hapësirave të Qendrës Korrektuese.
Hetuesit policorë kanë intervistuar viktimën i cili ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar, duke përmendur edhe frikën që kishte që ta raportojë rastin. Po ashtu është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka mohuar të ketë ushtruar dhunë seksuale ndaj viktimës.