Aleksandar Arsenijoviq, kandidat për kryetar të Mitrovicës Veriore, ka publikuar një video që pretendon se ka ndodhur në Leposaviq, ku shihet se si shoferi e shkelë me veturë një këmbësor dhe gjithçka e xhiron me telefon.
Për këtë rast Gazeta Express ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, i cili tha se deri më tani nuk ka ndonjë ankues për këtë rast, por gjithsesi është njoftuar prokurori.
“Për këtë rast nuk kemi ankues, po ashtu nuk dihet autenticiteti i videos, për rastin është njoftuar prokurori”, tha Hoti për Gazetën Express.
Politikani Arsenijoviq ka thënë se është i tmerruar nga ky rast teksa shpreson që i dyshuari të përgjigjet për këtë vepër.
“Më tmerron skena e komunës së Leposaviqit ku një burrë (nëse mund të quhet kështu) shkel një njeri në rrugë në mungesë të policisë, duke plotësuar disa nga tekat e tij personale. Shpresoj që një ditë të përgjigjet për këtë krim!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e videos.