Eshtë bërë i ditur numri i studentëve që kanë aplikuar për mbështetje me nga 100 euro nga Pakoja për Përballje me Inflacion, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se po synojnë që brenda muajit nëntor të ekzekutohen shtesat për grupin e parë të studentëve aplikues.
Kryeziu ka theksuar se kanë themeluar Komisioni zbatues, përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve. Sipas tij, ky komision është në komunikim të rregullt me Universitetet për konfirmimin e listave.
“Tashmë kemi themeluar Komisionin zbatues, përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve. Ky komision është në komunikim të rregullt me universitetet për konfirmimin e listave. Varësisht nga konfirmimet, po synojmë që brenda muajit të ekzekutojmë shtesat për grupin e parë e studentëve aplikues”, ka deklaruar Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress.
Aplikimi për studentët ka qenë i hapur deri më 6 nëntor, në platformën eKosova ndërsa të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë studentët aktivë që studiojnë në programet e akredituara në Kosovë.
Deri më tash shtesat nga qeveria janë ndarë për pensionistët nga 100 euro, për kategoritë sociale dhe për punonjësit e sektorit publik për muajin shtator dhe tetor nga 50 euro.