Deklarata e presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq se “Serbisë iu rrëmbye Kosova” ka shkaktuar indinjatë të madhe në Kroaci.
Milanoviq tha se ai e mbështet Kosovën dhe se e ka pranuar pavarësinë e saj, por krahasimi që i ka bërë aneksimit të pjesëve të Ukrainës nga Rusia me pavarësinë e Kosovës është dënuar njëzëshëm nga i tërë spektri politik atje.
Në mesin e atyre që reaguan ishte edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq me të cilin presidenti Milanoviuq është në një luftë verbale tash e disa muaj.
“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar“, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Kryeministri Plenkoviq ka thënë se presidenti Milanoviq me deklaratat e tij “po e turpëron Kroacinë”, por ka shtuar se “për fat të mirë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet mike e dinë se çfarë ndodhë në Kroaci dhe cilat janë qëndrimet e kujt”.
Plenkoviq ka rikujtuar se Kroacia ishte ndër të parat që e ka njohur Kosovën si shtet dhe nuk pranon krahasime dhe pohime për “aneksim“.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq që nga fillimi i sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës ka mbajtur qëndrim të kundërt me kryeministrin e kroat, Plenkoviq dhe me shumicën e liderëve perëndimorë.