“VV ka përçarje të brendshme, që tri të enjte nuk ka seancë. Duke parë këto përçarje nuk besoj se kjo qeveri mund të shkojë më shumë se 5 muaj” kështu deklaroi mbrëmë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, raporton Gazeta Blic.
Se mund të ketë zgjedhje të reja në Kosovë po thotë edhe Drejtori Ekzekutiv i “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari.
Jashari tha se mundësia e zgjedhjeve të parakohshme mund të jetë por jo për shkak të problemeve të brenshme në LVV, por për shkak të çështjes së statutit të Asociacionit.
“Paralajmrimet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në një kohë të shkurtër mendoj se janë një mundësi, por jo për shkak të problemeve të brendëshme partiake të LVV-së, por për shkak të insistimit të BE-së, për të shtyrë miratimin e statutit të asociacionit sipas versionit të parë të parqitur e që përmbanë elemente të autonomisë që tejkalon Kushtetuten e Kosovës”
“Dështimet në fushat tjera përfshirë edhe përformancën e deputetëve në kuvend mund të jenë faktor shtytës që mund ta shtyjnë Kryeministrin Kurti të provokoj zgjedhjet e parakohshme për të mbuluar deshtimet e brendëshme me mbrojtjen e sovranitetit dhe mos themelimit të Asociacionit si shkas për dorëheqje” tha Jashari në një prononcim.
Profesori universitar nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, ka një mendin ndryshe lidhur me deklaratën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.
Spahiu tha se nuk mund të ketë zgjedhje pa përfunduar çështja me Serbinë.
“Jo nuk besoj se do të ketë zgjedhje. Nuk besoj se do të bëhen zgjedhje para se përfundojë çështja me Serbinë, qoftë marrëveshje apo luftë. Derisa të kryhet problemi me Serbinë nuk besoj se do të ketë xzgjedhje” tha profesori nga Mitrovica Nexhmedin Spahiu.
Deklaratat e deputetit Bekim Haxhiu i ka komentuar edhe deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci.
Bajqinovci në një prononcim për GazetaBlic tha se, një gjë e tillë nuk qëndron sepse nuk ka përqarje brenda partisë ku ai është.
“Kjo është një e pavërtetë, nuk ka përqarje në grupin tonë parlamentar fare. Ka mendime ndryshe, për çështje të caktuara. Nga viti 2021 kur ne fituam zgjedhjet, opozita çdo tre muaj ka deklaruar se ka zgjedhje. Andaj, këto janë vetëm spekulime na opozita dhe asgjë më shumë”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.