Notice: Function _load_textdomain_just_in_time was called incorrectly. Translation loading for the wordpress-seo domain was triggered too early. This is usually an indicator for some code in the plugin or theme running too early. Translations should be loaded at the init action or later. Please see Debugging in WordPress for more information. (This message was added in version 6.7.0.) in /home/frontqym/public_html/wp-includes/functions.php on line 6114
Bllokada në Trust dhe BQK, qeveria akuzohet se po tenton t’i akomodojë njerëzit e saj -

Bllokada në Trust dhe BQK, qeveria akuzohet se po tenton t’i akomodojë njerëzit e saj

Trusti ka mbetur pa Bord Drejtues nga 1 marsi. Në mungesë të bordit, rreth 2.5 miliardë euro të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare, janë në rrezik. Emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit i janë dorëzuar Bankës Qendrore të Kosovës më 27 dhjetor të vitit 2022, por kandidatët potencialë s’janë përzgjedhur ende. Nga BQK drejtojnë gishtin ka Ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm, por që këta po heshtin. Opozita thotë se Qeveria po e zvarrit këtë proces për të vënë njerëzit e saj në këto pozita.

Miliarda euro të Trustit janë në rrezik, në mungesë të Bordit Drejtues. Pa u zgjedhur Bordi, investimet aktuale nuk mund të ndryshohen (shtohen ose tërhiqen), e kontributet e reja pensionale nuk mund të investohen.

Mandati i anëtarëve të Bordit ka përfunduar më 28 shkurt. Emrat për anëtarët e rinj i janë dorëzuar Bankës Qendrore të Kosovës, por, edhe pse dokumentacioni është dorëzuar dy muaj para se Trusti të mbetej pa bord, ende nuk janë përzgjedhur as kandidatët potencialë për anëtarët e rinj.

Jeton Demi nga Trusti i ka thënë Gazetës Express se dokumentacioni i kandidatëve i është dorëzuar në BQK më 27 dhjetor, por që s’kanë ndonjë informacion sa i përket procesit të shqyrtimit të kandidatëve.

“Më 27 dhjetor 2022 Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ia ka dorëzuar Bankës Qendrore të Kosovës, që është institucioni ndihmues për Komisionin Përzgjedhës, të gjithë dokumentacionin e kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së, sipas konkursit të shpallur më 2 dhjetor 2022 me kërkesë dhe dijeni të plotë të Komisionit Përzgjedhës. Ndërsa sa i përket procesit të shqyrtimit të kandidatëve, ju njoftojmë se nuk kemi asnjë informacion për këtë çështje”, ka thënë Demi.

E nga Banka Qendrore e Kosovës e drejtojnë gishtin ka Ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm, që janë pjesë e Komisionit për Përzgjedhje.

Kushtrim Ahmeti nga BQK i ka thënë gazetës se Guvernatori Fehmi Mehmeti i ishte drejtuar tri herë me kërkesa atyre për këtë proces, por që s’kishte marrë përgjigje.

“Ju informoj se bazuar në kërkesat ligjore, gjatë vitit 2022, përkatësisht 14 mars 2022 dhe 24 tetor 2022; si dhe me 5 janar 2023 Guvernatori Mehmeti ka bërë kërkesë drejtuar Ministrit të Financave dhe Auditorit të Përgjithshëm lidhur me procesin për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Megjithatë, deri më tani, Guvernatori Mehmeti nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”.

Mehmetit i ka skaduar dje mandati si Guvernator i BQK’së, e kjo është edhe arsyeja pse ka ngecur procesi në BQK sipas Pal Lekajt, që është anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Por thotë se Kryetari i Bordit të BQK’së është zotuar se do ta marr detyrën e ZëvendësGuvernatorit dhe se kjo do të krijojë hapësirë ligjore për ta zhbllokuar këtë proces.

“Eshtë humbje e madhe për vendin dhe Trustin, mungesa e anëtarëve të Bordit të Trustit. Procesi i përzgjedhjes së anëtareve të Trustit është ende në BQK dhe është përgjegjësi e saj direkte deri me tani. BQK duhet ta kompletojë listën, të bëjë përzgjedhjen dhe atë listë ta dërgojë në Komisionin për Buxhet, dhe ne të vazhdojme tutje. BQK ka ngecur për arsye që në panelin përzgjedhës duhet të jetë edhe Guvernatori i BQK-së (e që deri tani s’ka Guvernator). Kryetari i Bordit të BQK’së u zotua që do ta marr detyrën e ZëvendësGuvernatorit, e që po shpresojmë që me këtë hapësirë ligjore do të mundësohet vazhdimi i zgjedhjes se anëtarëve të Bordit të Trustit!”, ka deklaruar Lekaj.

Zvarritjen e këtij procesi, Lekaj e sheh edhe si tendencë të Qeverisë për të vënë njerëzit e saj në këto pozita.

“Gjithë këtë tollovi dhe ngecje të funksionimit të Trustit dhe BQK-së e shohim si tendencë e këtyre organeve dhe Qeverisë e së Kosovës për të manipuluar dhe për t’i pasur në kontroll me njerëzit dhe direktivat e saj”, ka thënë Lekaj.

Nga BQK kanë njoftuar sot se posti i Guvernatorit do të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, Bashkim Nurboja.

“Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”, thuhet në njoftim.

Nurboja ka qenë kandidati i LVV-së për kryetar të Pejës në vitin 2017 dhe kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019.

Në Qeverinë Kurti 1, Kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar Nurbojën zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Gazeta Express ia ka kërkuar Kuvendit të Kosovës listën me emrat e atyre që kanë aplikuar për anëtarë të Bordit të Trustit, meqë nga BQK s’e kanë ofruar një të tillë, por Kuvendi thotë se Komisionit s’i është dorëzuar ende lista.

“Deri më 28.03.2023 Komisioni përkatës nuk ka pranuar listën e kandidatëve për bord të Trustit”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Përplasja e Hotit me Muratin për Bordin

Bordi i Trustit ka përplasur të premten Ministrin Hekuran Murati dhe deputetin e LDK’së, Avdullah Hotit.

Hoti të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, adresoi kritika në drejtim të ministrit të Financave, Punës dhe Trasnfeve, Hekuran Muratit, për këtë çështje,

“2 miliardë euro nuk i keni në menaxhim ministër”, ishte fjala e Hotit drejtuar Muratit referuar mungesës së Bordit të Trustit Pensional.

Sipas tij, kjo është një “papërgjegjësi institucionale dhe njerëzore e ministrit”.

“Mos u zgërdhij kur të flasë, le të jemi seriozë. 2.5 miliardë euro nuk kanë menaxhim. Të lutem të diskutojmë me seriozitet, mos u zgërdhini gjatë diskutimit. Unë nuk të respektoj fare, por jeni ministër dhe duhet të raportoni. Unë të kam thirrur në përgjegjësi institucionale”, ka thënë Hoti gjatë përplasjes me Muratin në komision.

Pas fjalës së Hotit, Murati tha se është serioz dhe pretendimet e deputetit opozitar i cilësoi si propagandë.

“Janë bërë disa deklarata se Trusti po humb, ngase ministri i Financave apo Auditorja nuk po mund ta krijojnë bordin. Është totalisht e papranueshme kjo propagandë që është bërë”, u përgjigj Murati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *