DOKUMENT| Grevistëve ua ndali pagat, por Qeveria Kurti pagoi 199 serbë me afër 1 milion euro pa dalë kurrë në punë

Afër 1 milion euro janë paguar në vitin e kaluar nga Qeveria Kurti gjithsej 199 punonjës të komunitetit serb, pa dalë ata kurrë në punë.

Shteti kishte për obligim që t’u krijonte kushte pune dhe hapësira për zyre 199 ish-pjesëtarëve serbë të “Mbrojtjes Civile”, por deri më tani ende nuk ka bërë asnjë zgjidhje. Kjo ishte dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit si pjesë e shuarjes së strukturave paralele dhe integrimit të tyre në institucionet e Kosovës, por ky angazhim i tyre ishte kritikuar vazhdimisht nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, sapo erdhi në pushtet, partia e Kurtit që ua ndaloi pagat mësimdhënësve grevistë, nuk veproi njëjtë edhe me 199 punonjësit serbë që marrin paga pa dalë kurrë në punë.

“Edhe këtë vit, 199 punonjës të sistemuar në shtatë ministri të punësuar sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2016 janë paguar gjatë vitit 2021 me një shumë totale prej 962,646€ në mungesë të vijueshmërisë së plotë në punë. Këto pagesa janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht në Ligjin nr. 04/L 199 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile”, e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, duke i mbështetur zotimet e përcaktuara me këto konkluzione. Mirëpo, ministritë përkatëse i kanë vendos në listën e pagave këtë kategori të punonjësve para krijimit të kushteve/hapësirave fizike për punë, sistemim, angazhim dhe monitorim të tyre, që i bënë këto pagesa të parregullta”, thuhet në Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit për vitin 2021, përcjell Demokracia.com.

Në total 199 serbët që paguhen pa dalë në punë janë të ndarë në 7 ministri.

Ministria e Ekonomisë paguan 18 punëtorë me vlerë 93 mijë e 435 euro.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit paguan 20 punëtorë me vlerë 100 mijë e 264 euro.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës paguan 64 punëtorë me vlerë 289 mijë e 142 euro.

Ministria e Punëve të Brendshme paguan 20 punëtorë me vlerë 97 mijë euro.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit paguan 31 punëtorë me vlerë 142 mijë e 698 euro.

Ministria për Komunitete dhe Kthim 20 persona me vlerë 104 mijë euro.

Ministria e Tregtisë paguan 25 punëtorë me vlerë 127 mijë euro.

Ndryshe, sindikalistët janë futur në grevë që nga 25 gushti në kërkim të kushteve më të mira për ta. Sindikalistët e Arsimit po kërkojnë 100 euro për secilin mësimdhënës deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Por, Qeveria e Albin Kurtit ua ka ndalur pagat grevistëve, duke tentuar që ta shtyp grevën. Sindikalistët kanë thënë se nuk do ta ndërpresin grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *