Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Rastet e tilla shtohen edhe më shumë gjatë sezonit të verës kur ka ahengje të shumta familjare, por edhe gjatë muajit të Ramazanit, kur qytetarët vizitojnë të afërmit e tyre për darka iftari.
Kështu e ka pësuar mbrëmë një familje në rrugën ‘Harun Aliu’ në Prishtinë, ku persona të panjohur dyshohet se kanë thyer shtëpinë e tyre.
Sinjali mëson se pronari i shtëpisë ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se gjatë kohës që ata kishin shkuar për iftar te disa të afërm të tyre, hajnat kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë dhe kanë vjedhur një armë dhe dy orë dore.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.