Mosmarrëveshjet mes çifteve jo gjithmonë përfundojnë në mënyrë paqësore.Në shumë raste ndodh që të përfshihen edhe anëtarët e familjeve, kryesisht të vajzave, të cilët bëjnë veprime të cilat bien ndesh me ligjin, duke u dashur kështu medoemos ndërhyrja e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Fushë Kosovë, ku një vajzë e cila ishte në lidhje dashurie me një 28-vjeçar, dyshohet se e kanë sulmuar atë.Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në parkingun e një pompe derivatesh në rrugën ‘Nëna Terezë’, ku 21-vjeçarja ka pasur një konflikti verbal me të dashurin e saj.
Në rast kanë ndërhyrë babai dhe vëllai i saj, ku 52-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar fizikisht viktimën.
Sulmit iu bashkëngjit edhe e dyshuara e cila e ka goditur të dashurin e saj, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Ndërkohë vëllai i të dyshuarës, ka kërcënuar viktimën me mjet të mprehtë në dorë, që dyshohet të jetë thikë.28-vjeçari ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarit, të cilët janë intervistuar lidhur me veprat që dyshohet se kanë kryer.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 52-vjeçari dhe 21-vjeçarja të hetohen për ‘Lëndim të lehtë trupor’ dhe të dërgohen në mbajtje, ndërsa vëllai i të dyshuarës do të hetohet në liri për veprën penale ‘Kanosja’.