Një grua nga fshati Ramnishtë të Vitisë është në hall me tashmë ish-bashkëshortin e saj, i cili që nga koha kur ishin të fejuar ka ushtruar dhunë në forma të ndryshme ndaj 23-vjeçares. I dyshuari është arrestuar disa herë nga Policia, mirëpo sërish pas lirimit ka vazhduar me avazin e vjetër, duke mos e lënë rehat partneren e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Si pasojë e dhunës së vazhdueshme, viktima ka vendosur që t’i japë fund lidhjes së saj me të dyshuarin, por ky i fundit as këtë fakt nuk ka arritur ta pranojë siç duhet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur që 23-vjeçarja të mërkurën sërish kërkoi ndihmë në Polici, kjo pasi që ish-bashkëshorti i saj po vazhdonte të merrej me të. E gjesti i fundit që ka bërë i dyshuari është i ulët, duke publikuar fotografitë nudo të viktimës në rrjetin social Instagram.
Sinjali mëson se 26-vjeçar përmes profileve false në Instagram ka postuar në storie pamje të viktimës ku ajo shihet nudo, e të njëjtat fotografi dyshohet se ua ka dërguar edhe familjarëve të ish-bashkëshortes së tij.
Me të marrë informatën, njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim. Para hetuesve policorë, ai nuk ka pranuar të ketë kryer veprën për të cilën dyshohet, duke thënë se profilet në fjalë nuk janë në kontrollin e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 26-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’.
Lexo edhe: Pavarësisht grevës, zv/ministri i Arsimit i bindur se mësimi fillon më 1 shtator
Ndërkohë Sinjali mëson se në fundin e muajit qershor, viktima kishte bërë denoncim ndaj të dyshuarit, ku kishte deklaruar se pas dhunës fizike që kishte përjetuar nga ai, 26-vjeçari vazhdonte ta kërcënojë përmes SMS-ve nga Gjermania.
Ajo madje kishte njoftuar Policinë se i dyshuari në shtëpinë e tij në Kosovë posedon edhe armë zjarri, çka bëri që Policia me të marrë vesh se 26-vjeçari është kthyer nga Gjermania, ka bastisur shtëpinë e tij.
Edhe atëherë i dyshuari ishte arrestuar dhe ishte ndaluar për 48 orë.
Por këto nuk janë herët e vetme kur viktima e ka denoncuar në Polici ish-partnerin e saj, pasi që edhe më parë kishte raportuar se 26-vjeçari që punonte jashtë shtetit, e kishte kërcënuar vazhdimisht se do e vrasë atë dhe familjen e saj.
Kujtojmë se janë shumë raste në Kosovë kur rastet e dhunës në familje kanë përfunduar edhe tragjikisht për gratë, të cilat pavarësisht denoncimeve në organet e rendit, nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur institucionale.