Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se është arrestuar një person i cili dyshohet se në periudha të ndryshme nga viti 2021 deri në vitin 2023 ka mashtruar qytetarët.
Insajderi merr vesh se i arrestuari është Jeton Mehmeti nga fshati Gumnishtë e Vushtrrisë. Ai u arrestua nën dyshimin për mashtrim prej dy milionë eurosh.
Ai iu merrte para firmave të ndryshme me premtimin se do të bënte furnizimin me cigare të firmës ‘Trokadero’.
Iu merrte avansin dhe nuk iu lajmërohej më viktimave.
Dhjetëra viktima e denoncuan Mehmetin. Prokuroria Themelore e Mitrovicës pas një hetimi disa mujor arriti të siguronte dëshmi për mashtrimin e kryer nga Mehmeti.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se është arrestuar personi i dyshuar me iniciale J.M,. me dyshimin se në periudha të ndryshme nga viti 2021 e gjer në muajin korrik 2023, në mënyrë mashtruese ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, dhe dyshohet se vlera e përfitimit është rreth 2 milionë euro”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
“I dyshuari, me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh, dhe në afatin e paraparë ligjor Prokuroria Themelore në Mitrovicë ndaj të dyshuarit do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit”, përfundoi njoftimi.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me kryeprokurorin e Mitrovicës, Ismet Ujkanin, mirëpo i njëjti ka thënë se s’mund të japë detaje shtesë jashtë komunikatës që u lëshua sot nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.