Pjesëtarët e KFOR-it, të cilët ndodhen rreth objektit të komunës në Zveçan, kanë sjellë sot në qytet automjete me makineri të rënda dhe sasi të mëdha të telave me gjemba, ndërsa rrugët që çojnë në këtë ndërtesë komunale vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Në afërsi të ndërtesës komunale vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës. Para objektit komunal ndodhen disa autoblinda të policisë.
Pjesëtarët e kontingjentit polak të KFOR-it kanë vendosur një kordon rreth 15 metra larg objektit të komunës.
Ata janë të pajisur me mburoja dhe pajisje të tjera të nevojshme për thyerjen e demostratave, kurse njësia speciale e Policisë së Kosovës me disa autoblinda qëndrojnë prapa ushtarëve të KFOR-it.
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Iljir Peci, ka konfirmuar se sot nuk ka shkuar në ndërtesën e komunës, por se bashkë me kabinetin e tij kanë filluar punën në zyrën në fshatin Lipe.