Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen që ajo e quan shtypëse ndaj sektorit privat.
Ajo ishte e zhgënjyer me një vendim të Qeverisë Kurti, i cili u mor sot, për ndarjen e 50 eurove ndaj të gjithë punonjësve të sektorit publik, duke i anashkaluar ata të sektorit privat.
Për Krasniqin, pushteti ka harruar punëtorët e sektorit privat, e të cilët janë kontribuuesit më të mëdhenj të kuletës së shtetit.
Mes tjerash, ligjvënësja opozitare ishte e ashpër me vonesën e qeveritarëve në konferencë e thirrur për media të mërkurën, e që më pas për shkak të vonesës së tyre, natyrisht jo sefte, u bojkotuan nga gazetarët dhe kameramanët e medieve që ishin prezent aty.
Krejt në fund, përveç që sipas Krasniqit, Qeveria Kurti është e paaftë, parashikon edhe fundin e saj.
“Pabarazi e plotë. Jo rastësisht edhe sot vazhdojnë të largohen qytetarët nga vendi, të zhgënjyer me punën e keqe të kësaj qeverie. Se sektori privat është problem i kësaj qeverie, u pa edhe qasja denigruese ndaj mediave, duke i lënë në pritje të panevojshme, më pas dalin dhe i akuzojnë se nuk e paskan vendosur në rend të parë interesin publik”, shkroi ajo në Facebook.
“Të paaftë në qeverisje. Fundin e keni afër”, përfundoi Krasniqi.