Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar çdoherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e nënshkruar në Bruksel.
Duke e kundërshtuar atë ka ardhur dhe në pushtet, e kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk do ta nënshkruajë themelimin e tij.
Në anën tjetër, SHBA po kërkon që të formohet Asociacioni, për çka të martën do të mbahet takim në Ambasadën e Amerikane, me përfaqësuesit e Qeverisë, Presidencës, opozitës e shoqërisë civile.Lidhur me qëndrimet e Kurtit e formimin e Asociacionit, analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre për Gazeta Blic.
Njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi, thotë se Qeveria Kurti ka lëshuar pe për Asociacionin por që fillimisht do që t’ia ndërrojë emrin e së dyti ta shesë si diçka të keqe që e ka luftuar Kurti.
“Po. Qeveria Kurti ka lëshuar pe në çdo gjë deri sot, porse po mësynë së pari të përpiqet për ta futur në Marrëveshje (eventualisht t’ia ndërrojë emërtimin), e jo ta trajtojë si obligim shtetëror dhe së dyti, ta shesë tek votuesit e tij si diçka të keqe që Kurti e luftoi. Në fund Qeveria detyrohet ta dekretojë këtë entitet”, vlerëson Matoshi për Gazeta Blic.
Ndërsa, profesori Arben Fetoshi, potencon se Asociacioni është sfidë për shtetin, por që Qeveria duhet t’i prijë procesit dhe sipas tij ambasada e SHBA-ve e ka sfiduar Qeverinë por kjo duhet të korrigjohet.
“Asociacioni është sfidë për shtetin, por qeveria gjithsesi duhet t’i prijë procesit. Iniciativa e Ambasadës së SHBA e ka sfiduar qeverinë, por kjo duhet të korrigjohet me urgjencë. Qeveria duhet t’i prijë procesit dhe së bashku me opozitën, të propozojë zgjidhjen e duhur për asociacionin”, thekson ai.
Sipas Fetoshit, insistimi i ndërkombëtarëve tregon që Kosova duhet ta formojë Asociacionin që të arrihet marrëveshje, ndryshe refuzimi e rrezikon procesin dhe mund ta dëmtojë Kosovën.
“Insistimi ndërkombëtar tregon se Kosova duhet ta bëjë asociacionin në mënyrë që të arrihet marrëveshja në bazë të planit franko gjerman. Përndryshe, refuzimi e rrezikon procesin dhe mund ta dëmtojë më shumë Kosovën. Refuzimi është mungesë lidershipi nga ana e qeverisë dhe një qasje e gabuar që i konvenon Serbisë”, vlerëson analisti.
Ai shton se qeveria mund të bie nëse vazhdon kundërshtim në këtë temë.
“Vazhdimi i kundërshtimit në këtë temë mund të çojë në ndërprerje komunikimi dhe rënie të qeverisë, e cila në rrethanat aktuale nuk na duhet dhe mund të përcillet me dëme të rënda”, deklaron Arben Fetoshi.