Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka disa ditë që Serbia është duke e kërcënuar Kosovën me agresion.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti tha se presidenti dhe kryeministrja e Serbisë po bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
“Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së”, ka shkurar Kurti.
Sipas kryeministrit, krerët serbë duan kthim në kohën e Milosheviqit.
“Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës)”, ka shtuar ai.
Kurti theksoi se Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro amerikan.
“Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, ka shtuar ai.
Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, sipas Kurtit, strukturat ilegale të Serbisë, të shndërruara në banda kriminale, u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.
“Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-së i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë, shtoi ai.
“Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”.