Mësimdhënësit i kanë marrë me rritje pagat e muajit e shkurt.
Në xhirollogaritë e tyre, ata do të kenë kësaj here, 100 euro më shumë sesa në muajt paraprak.
Kjo për shkak të zbatimit të Ligjit të Pagave.
Informacionet janë konfirmuar nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
“Pagat e mësimdhënësve kanë dalë me Ligjin e ri të Pagave. Jnaë procesuar në xhirollogari të punëtorëve të arsimit. Lëvizja vërehet për mësuesit e cikleve 1 -5, 6-9, dikund 100 euro më tepër. Mund të lëviz varësisht nga përvoja e punës. Kurse edhe tek mësimdhënësit e shkollave të mesme 10- 12, do të ketë lëvizje edhe atje dikund afër 100 euro”.Kryesindikalisti, megjithatë, nuk u shpreh i kënaqur.
“Nuk jemi shumë të kënaqur me këtë rritje prej 100 euro, por shpresoj që të rritet kjo shumë viteve në vijim. Borxhlisë të keq thojnë nëse mundesh bile bishtin e sakicës merrja”, u shpreh Jasharaj për “Front Online”.Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.
Në bazë të kësaj mësimdhënësi i shkollës së mesme që ka koeficientin 5.8, ka marrë rreth 609 euro pagë.Ndërsa ai i shkollës fillore, që ka koeficienti 5.6, arkëton 588 euro.
Ligji i pagave në Kosovë ka hyrë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.