Sot është dita e fundit e muajit janar dhe vlera monetare e koeficientit të pagave ende s’është bërë e ditur, edhe pse kryeministri Albin Kurti kishte premtuar se do të përcaktohet gjatë këtij muaji. Pas rritjes së çmimit të tatimit në pronë, vlera e koeficientit pritet të jetë “befasia” e radhës e Kurtit, nga e cila do të preken mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik.
“Ne nuk mundemi ta përcaktojmë koeficientin në Ligjin e Pagave, sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti në fund të muajit dhjetor, kur ishte pyetur për vlerën monetare të koeficientit të pagave.
31 janari është sot, e vlera e koeficientit s’është bërë ende publike. E meqë kjo vlerë s’dihet ende, asnjë prej punonjësve të sektorit publik se di sa para do të marrë, me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në Sektorin Publik.
Gazeta Express ka dërguar pyetje te Zyra e Kryeministrit disa herë lidhur me atë se kur do ta përcaktojë vlerën e koeficientit dhe vlerat që po diskutohen, por s’ka marrë asnjëherë përgjigje.
Duke u thirrur në burime brenda institucioneve, mediat kanë raportuar se vlerat që po diskutohen janë 100 euro, 120 euro dhe 130 euro.
Shuma e caktuar do të shumëzohej pastaj me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe do të prodhonte vlerën e pagës.
Ligji për Pagat në Sektorin Publik është hedhur në votim dhe miratuar nga deputetët pa e ditur vlerën e koeficientit, e madje edhe është dekretuar si i tillë nga Presidentja.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se Ligji do të përfundojë në Kushtetuese, nëse u ulen pagat.
“Nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vite gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme. Për fat të keq deri tani nuk kemi një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e pagave, megjithatë pavarësisht kësaj. Gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.”, ka deklaruar Kryesuesi i KGJK’së, Albert Zogaj.
Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë këtë Ligj në Kushtetuese, pikërisht për punën e koeficientit.
“Në rastin e ligjit për pagat, është bërë në mungesë totale të transparencës për shkak se sot është votuar ligji i pagave, por askush në Kosovë nuk e di se sa e ka pagën. Sot askush nuk e di se nëse është rritë apo zvogëluar paga e tij”, kishte deklaruar Përparim Gruda nga PDK.
Kush do të paguhet më së shumti?
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Me Ligjin për Paga parashihet që Presidentja e Kosovës ta ketë pagën më të madhe në vend, me koeficient 18. Pas saj radhitet Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5.
Paga e kryeministrit është paraparë ta ketë koeficientin e njëjtë me atë të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të shtetit, me koeficient 17.
Shefi dhe zëvendësshefi i Stafit në Presidencë do ta ketë koeficientin 13. Shefi i Stafit në Zyre të Kryeministrit dhe Kuvendin e Kosovës me koeficient 12.5. Këshilltarët politik me koeficient mbi 10.
Pozita e Komandantit të FSK-së është parapa të paguhet me koeficient 15, ndërsa koeficientin 15.5 do ta ketë pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës pritet ta ketë koeficientin 14.5. Ndërsa në Shërbimin Korrektues të Kosovës, udhëheqësi i pavionit është parapa ta ketë koeficientin 7.3.
Rektori do ta ketë koeficientin 14.2, dekani 12.8 dhe profesori i rregullt 12.4. Drejtori i Shkollës së Mesme të lartë 6.4 dhe mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Lartë 5.8. Mësimdhënësi në Shkollë fillore dhe të Mesme të Ulët 5.6, Mësimdhënësi në institucionet parashkollore 5.2 dhe edukatorët 5.
Pozita e Drejtuesit në Shëndetësi është 12.4, Mjek specialist 12, Mjek në Specializim 8, Mjek i përgjithshëm, Stomatolog, Farmacist 7.4, Laborant, Infermier, Mami, Teknik mjekësor, Teknik farmacist, 5.6.
Ambasadori do ta ketë koeficientin 10.
Kryetari i kryeqytetit do ta ketë koeficientin 15, ndërsa kryetarët e komunave do ta kenë koeficientin në bazë të numrit të banorëve që ka komuna. Për shembull komuna që ka mbi 100 mijë banorë, kryetari i saj do ta ketë koeficientin 13.
Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.